Goditet dhe fundoset anija me kontejnerë, alarm në Gjirin Persik

Përshkallëzimi i tensioneve në rajonin e Gjirit Persik po reflektohet gjithnjë e më shumë në sigurinë detare.
Një anije kontejnerësh është fundosur pranë Ngushticës së Hormuzit pasi u godit nga një predhë, ndërsa një tjetër anije mallrash e dëmtuar në një sulm të mëparshëm raportohet se po fundoset pas dështimit të përpjekjeve për ta shpëtuar.
Sipas burimeve të sigurisë detare, anija tregtare “GFS Pride”, me flamur të Singaporit, u fundos pasi u godit pranë një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Në një paralajmërim navigues të lëshuar më 14 tetor, Hidrografi i Pakistanit njoftoi se anija është fundosur dhe se në zonë po lundrojnë kontejnerë të shkëputur, duke paraqitur rrezik për anijet e tjera.
Menaxheri i anijes, kompania GFS Ship Management FZE me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk ka dhënë ende një reagim zyrtar mbi incidentin.
Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare Detare, kjo është anija e dytë që raportohet e fundosur që nga nisja e konfliktit mes SHBA-së dhe Iranit më 28 shkurt, duke ngritur shqetësime për sigurinë e lundrimit në zonë.
Në një incident të veçantë, anija transportuese e mallrave të thata “Cape Dao”, me flamur të Antigua dhe Barbudës, po përballet gjithashtu me rrezikun e fundosjes.
Anija ishte goditur nga një predhë më 23 shtator dhe, sipas grupit britanik të menaxhimit të riskut detar Vanguard, përpjekjet për shpëtimin e saj kanë dështuar.
Kompania që menaxhon anijen, Peonies Shipmanagement FZE, me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk ka qenë e disponueshme për koment.
Ndërkohë, dy zyrtarë të lartë iranianë kanë deklaruar për Reuters se Teherani po përdor taktika të reja për të goditur anijet që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit.
Sipas tyre, synimi është mbajtja e çmimeve të naftës në nivele të larta dhe ushtrimi i ndikimit në zhvillimet politike në Shtetet e Bashkuara.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga pikat më strategjike të tregtisë botërore, ku kalon një pjesë e konsiderueshme e eksporteve globale të naftës, ndaj çdo incident në këtë korridor ka ndikim të menjëhershëm në tregjet ndërkombëtare dhe në sigurinë e transportit detar.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




