Ambasada Britanike dënon dhunën në protestë: E drejta për tubim nuk justifikon dhunën

Ambasada Britanike në Tiranë ka reaguar pas përshkallëzimit të situatës gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet, duke theksuar se e drejta për protestë paqësore dhe liria e shprehjes janë të drejta themelore që duhen respektuar, por nuk mund të përdoren si justifikim për akte dhune apo dëmtim të pronës.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, ambasada nënvizoi rëndësinë e respektimit të të drejtave kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur lirshëm mendimet e tyre, ndërsa theksoi se çdo formë dhune bie ndesh me këto parime.
“Ambasada Britanike në Tiranë nënvizon rëndësinë e të drejtës për protestë paqësore dhe lirisë së shprehjes, të mbrojtura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Megjithatë, e drejta për të protestuar nuk legjitimon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike dhe private. Sikundër, ajo nuk duhet të përballet me veprime joproporcionale nga policia”, thuhet në reagimin e saj.
Misioni diplomatik britanik u bëri thirrje të gjitha palëve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve, duke respektuar të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga një shoqëri demokratike.
Në përfundim, ambasada apeloi për dialog dhe ulje të tensioneve, duke theksuar se respektimi i të drejtave demokratike dhe i shtetit të së drejtës mbetet rruga e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




