Ibrahimaj dënon sulmin ndaj Ministrisë së Ekonomisë: Djegia e institucioneve rrezikon jetë njerëzish, dhuna nuk është protestë

Aktualitet | 2 orë më parë

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka reaguar pas sulmit ndaj godinës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit gjatë protestës së zhvilluar në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe dëmtimin e institucioneve publike.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ibrahimaj ndau pamje nga incidentet pranë ministrisë dhe bëri thirrje për ndalimin e dhunës dhe shkatërrimit të pronës publike.

“Stop Dhunës! Stop Shkatërrimit! T’i vësh flakën një institucioni nuk është protestë paqësore. Është një akt që rrezikon jetë njerëzish”, shkroi ministrja.

Ajo theksoi se godinat e institucioneve publike nuk i përkasin një force të caktuar politike, por janë në shërbim të shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeveri.

Sipas Ibrahimajt, në këto institucione punojnë çdo ditë qindra punonjës, të cilët ushtrojnë detyrat e tyre në shërbim të publikut dhe nuk duhet të përballen me rrezik në vendin e punës.

“Këto janë zyra që i shërbejnë shtetit dhe qytetarëve, pavarësisht se kush është në qeveri. Janë vende pune ku çdo ditë punojnë njerëz, prindër, të rinj, që kanë familje që i presin në shtëpi”, u shpreh ajo.

Ministrja nënvizoi se asnjë pakënaqësi apo kundërshti politike nuk mund të justifikojë sulmet ndaj institucioneve publike, duke kujtuar se ato janë pasuri e përbashkët dhe do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm.

“Asnjë punonjës nuk duhet të rrezikojë jetën në vendin e tij të punës. Asnjë pakënaqësi nuk mund të justifikojë djegien e institucioneve që u përkasin të gjithëve dhe që do t’u shërbejnë edhe brezave të ardhshëm”, theksoi Ibrahimaj.

Ajo bëri thirrje për qetësi dhe respektim të institucioneve, duke nënvizuar se dhuna nuk mund të jetë rrugë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme