Protestuesit sulmojnë institucionet shtetërore dhe publike, Kumbaro: Shkatërrimi i pronës ka zënë vendin e fjalës! Jemi derë e hapur për dialog

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro Furxhi, ka reaguar pas incidenteve dhe akteve të dhunës që kanë shoqëruar protestat e dy ditëve të fundit në Tiranë, duke dënuar përplasjet dhe shkatërrimin e pronës publike.
Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, ajo bëri thirrje për dialog dhe distancim nga dhuna, ndërsa theksoi se protesta është një e drejtë demokratike, por nuk mund të kthehet në sulm ndaj institucioneve dhe punonjësve të tyre.
Në një reagim e saj, ministrja shprehu shqetësimin për ngjarjet e fundit, duke theksuar se pavarësisht motiveve të protestës, përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës nuk mund të zëvendësojnë argumentin dhe komunikimin.
“Po ndjekim me shumë shqetësim atë që ka ndodhur këto dy ditë rreth e brenda godinës së Ministrisë së Arsimit dhe në institucione të tjera. Pavarësisht se kush proteston dhe për çfarë proteston, është e rëndë të shohësh situata ku përplasja fizike dhe shkatërrimi i pronës zënë vendin e fjalës, zëvendësojnë argumentin dhe dialogun”, shprehet ministrja.
Duke kujtuar përvojën e saj si studente dhe pjesëmarrëse në protesta, Kumbaro tha se respekton të drejtën e studentëve për të kërkuar më shumë nga institucionet, por nënvizoi se protesta dhe dhuna janë dy gjëra krejt të ndryshme.
“Kam respektin maksimal për të drejtën e studentëve për të kërkuar gjithmonë e më shumë nga institucionet, ama protesta qytetare studentore dhe dhuna ndaj godinave e pronës publike, si edhe ndaj vendit të punës së punonjësve publikë, aq më shumë kundër punonjësve të arsimit, nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Kjo vijë ndarëse duhet të mbetet e qartë për cilindo”, deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se, pavarësisht dëmtimeve të shkaktuara nga protestuesit, Ministria e Arsimit do të vijojë të jetë e hapur për komunikim me studentët, universitetet dhe prindërit.
“Ministria e Arsimit, ndonëse rëndë e dëmtuar nga dhuna e orëve të fundit, ka qenë dhe do të jetë një derë e hapur për komunikim me universitetet, me studentët, me prindërit dhe me këdo që ndërton dialog”, tha Kumbaro.
Në reagimin e saj, ministrja solli në vëmendje edhe mbështetjen financiare që, sipas saj, qeveria u ofron studentëve.
Ajo theksoi se çdo vit mbi 12 mijë studentë nga familjet në vështirësi përfitojnë mbështetje financiare, ndërsa mbi 40 mijë studentë përfitojnë tarifa të reduktuara ose përjashtim nga tarifat e studimit.
Gjithashtu, qindra studentë ekselentë dhe ata që ndjekin programe prioritare përfitojnë bursa dhe mbështetje mujore.
Kumbaro u shpreh e bindur se studentët nuk mund të identifikohen me aktet e shkatërrimit të institucioneve publike.
“Jam e bindur se studentët nuk mund ta bëjnë kurrësesi shkatërrimin e institucioneve të tyre dhe të pronës publike e asaj private. Studentët nuk mund ta shkatërrojnë shtëpinë e tyre. Në një institucion ku normalisht mund të hyhet për dialog nga dera, nuk ka nevojë të thyhen xhamat dhe të digjen zyrat”, shkroi ajo.
Ministrja bëri të ditur se kati i parë i Ministrisë së Arsimit është dëmtuar rëndë nga zjarri, duke prekur jo vetëm bazën materiale, por edhe dokumentacionin e institucionit. Megjithatë, sipas saj, stafi i ministrisë vijon punën normalisht dhe dyert e institucionit do të mbeten të hapura për komunikim.
Në fund të mesazhit, Kumbaro iu drejtua drejtpërdrejt studentëve me një apel për të mos u bërë pjesë e akteve të dhunshme.
“Hekurat që thyejnë xhama nuk zgjidhin asnjë problem, ashtu siç gurët e trotuareve nuk ndërtojnë të ardhmen; atë e ndërtojmë në auditorë, me vizion, me dije, me argumente dhe me përgjegjësi. Të dashur studentë, kujdesuni për veten dhe mos lejoni që askush t’ju shtyjë drejt akteve të dhunës. Zëri juaj ka vlerë pikërisht kur dëgjohet përmes ideve dhe argumenteve”, përfundon reagimi i ministres.
View this post on Instagram
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




