Peleshi dënon sulmet ndaj institucioneve: Vandalizmi nuk ka lidhje me protestën demokratike

Aktualitet | 1 orë më parë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka reaguar pas incidenteve dhe akteve të dhunës që kanë shoqëruar protestat e dy ditëve të fundit në Tiranë, duke dënuar sulmet ndaj institucioneve publike dhe dëmtimin e pronës.

Në një reagim, Peleshi e cilësoi të papranueshëm shënjestrimin e godinës së Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke theksuar se ato nuk duhet të kthehen në objekt zemërimi dhe përplasjesh.

“Shënjestrimi i godinës së Kuvendit dhe i institucioneve publike, si dhe kthimi i tyre në caqe të zemërimit të verbër, janë të papranueshme”, u shpreh ai.

Peleshi nënvizoi se protesta demokratike dhe vandalizmi janë dy qëndrime të kundërta, duke theksuar se aktet e shkatërrimit nuk përfaqësojnë studentët dhe as kauzat që ata mbrojnë.

“Vandalizmi nuk ka asnjë lidhje me studentët dhe protestën demokratike. Dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë”, deklaroi Kryetari i Kuvendit.

Më tej, ai u bëri thirrje forcave politike që të distancohen nga çdo nxitje apo thirrje që mund të çojë në përshkallëzim të situatës.

“U bëj thirrje subjekteve politike të distancohen nga nxitjet dhe thirrjet për dhunë. Axhenda politike e askujt nuk është më e rëndësishme se Shqipëria”, theksoi Peleshi.

Peleshi apeloi për përgjegjësi dhe respektim të institucioneve demokratike, duke theksuar se mosmarrëveshjet dhe kërkesat qytetare duhet të adresohen përmes dialogut dhe jo përmes akteve të shkatërrimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme