Kufizimet në Starlink për armët ukrainase, Musk: Varen nga qeveria amerikane

Botë | 1 orë më parë

Elon Musk ka sugjeruar se qeveria amerikane mund të jetë përgjegjëse për kufizimet që ndikojnë në shpejtësinë me të cilën disa prej armëve ukrainase mund të lëvizin duke ruajtur lidhjen me rrjetin satelitor Starlink, në pronësi të kompanisë SpaceX. Ky sistem është bërë një mjet jetik për ushtrinë ukrainase, duke mundësuar drejtimin e dronëve drejt objektivave ruse dhe koordinimin e operacioneve mbrojtëse. Megjithatë, të martën në mbrëmje, autoritetet ukrainase raportuan se kufizime të papritura të shpejtësisë po pengonin misionet në fushëbetejë.

Sipas raportimeve, kufiri i shpejtësisë u vendos në 100 milje në orë, ose rreth 160 kilometra në orë, duke bërë që pajisjet dhe armët që lëviznin më shpejt të humbnin lidhjen me rrjetin. Lidhja u rikthye pjesërisht deri të mërkurën në mbrëmje, bëri të ditur ish-ministri ukrainas i Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, i cili kërkoi heqjen e plotë të kufizimeve. “Heqja e plotë e kufirit të shpejtësisë së Starshield është tashmë thelbësore për mbrojtjen e Ukrainës”, shkroi ai në platformën X, duke falënderuar Muskun dhe duke kërkuar mbështetjen e tij të mëtejshme.

Në përgjigje të kërkesave të zyrtarëve ukrainas, Musk sqaroi se Starshield, shërbimi satelitor i projektuar për përdorim qeveritar dhe ushtarak, është në pronësi dhe nën kontrollin e qeverisë amerikane.

“Çdo kufizim i shpejtësisë ose përdorimit vendoset nga ushtria amerikane dhe, në fund të fundit, nga presidenti i SHBA-së”, deklaroi ai. Musk theksoi gjithashtu se Starlink është menduar për aktivitete civile ose mbrojtëse dhe nuk duhet të përdoret për operacione ushtarake sulmuese, duke argumentuar se një përdorim i tillë do të ishte i papërshtatshëm për një kompani tregtare. Deri më tani, administrata amerikane nuk ka dhënë një koment zyrtar për këtë çështje.

Kufizimet u raportuan në të njëjtën kohë kur Rusia ndërmori sulme të rënda ndaj Ukrainës, duke goditur Kievin dhe infrastrukturën e komunikimit dhe energjisë që përdoret nga ushtria ukrainase. Zelensky e cilësoi ofensivën si një nga sulmet më të mëdha ruse, duke thënë se një pjesë e konsiderueshme e dronëve ishte rrëzuar, por se disa prej tyre kishin arritur të godisnin objektivat. Si pasojë e sulmeve, të paktën 600 mijë persona në Ukrainë mbetën pa energji elektrike, ndërsa disa banorë raportuan se nuk kishin marrë paralajmërime për dronët përpara se ata të godisnin. Në orët e para të së enjtes, sulmet ruse në rajonin e Dnipropetrovskut vranë dy persona, sipas guvernatorit rajonal Oleksandr Hanzha.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme