(Live)/ Tensione në protestën e studentëve dhe nxënësve, protestuesit godasin me gurë, policia hedh gaz lotsjellës
Tensione janë shënuar në protestën e nxënësve dhe studentëve në Tiranë, ku protestuesit kanë hedhur gurë në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët janë kundërpërgjigjur me gaz lotsjellës dhe topa uji. Nxënës dhe studentë kanë bojkotuar procesin mësimor dhe kanë dalë në protestë në Tiranë, Shkodër, Korçë dhe Durrës, duke kërkuar ndryshime dhe duke marshuar në rrugët e qyteteve.
Në kryeqytet, protesta nisi me marshimin e nxënësve dhe studentëve në disa rrugë, duke kaluar fillimisht pranë Parlamentit dhe më pas në rrugën e Durrësit, në drejtim të Ministrisë së Arsimit. Protestuesit janë pozicionuar në të dyja anët e rrugës së Durrësit, ku policia ka ndërhyrë me dy autobotë uji, ndërsa situata është tensionuar pas përplasjeve me gurë dhe përdorimit të gazit lotsjellës. Protestuesit kanë bërë thirrje që protesta të zhvendoset para Parlamentit.
Pranë shkollës “Partizani”, raportohet se disa nxënës u kanë vënë flakën kontejnerëve të mbeturinave. Ndërkohë, edhe nxënës nga Kamza janë nisur drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës. Në terren janë angazhuar forca të shumta policie, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimit të objekteve.
Protesta është shtrirë edhe në qytete të tjera të vendit. Në Divjakë, Vlorë dhe Durrës, nxënësit kanë bojkotuar mësimin. Edhe studentët në Shkodër i janë bashkuar tubimit, duke bojkotuar procesin mësimor dhe marshuar në rrugët e qytetit me pankarta në duar, ndërsa ndër sloganet e tyre është edhe thirrja për revolucion. Ndërkohë, në Korçë, nxënësit kanë bojkotuar mësimin dhe pritet t’i bashkohen studentëve në protestë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





