BE dënon tensionet në protestat në Tiranë: Dhuna nuk ka vend në demokraci. Duhet dialog mes palëve

Politikë | 1 orë më parë

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar për përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunshme dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private.

Në reagimin e tij, Delegacioni i BE-së u ka bërë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore që duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore.

“Dënojmë me forcë përshkallëzimin e dhunës gjatë protestës dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. U bëjmë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin çdo akt dhune. Dhuna nuk ka vend në demokraci. Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane. Ato duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore”, thuhet në reagimin e Delegacionit të BE-së.

BE nënvizon se liria e tubimit dhe e shprehjes përbëjnë vlera thelbësore evropiane dhe duhet të respektohen nga të gjithë.

Delegacioni thekson gjithashtu rëndësinë e dialogut konstruktiv mes palëve, duke e cilësuar atë si rrugën për adresimin e shqetësimeve legjitime.

“Dialogu konstruktiv mes të gjitha palëve është e vetmja rrugë përpara për të adresuar shqetësimet legjitime”, përfundon reagimi.

Edhe ditën e sotme studentët kanë nisur protestën dhe grumbullimet në rrugët e Tiranës që në orët e para të mëngjesit. Protestës i janë bashkuar edhe nxënës dhe studentë, të cilët kanë bojkotuar procesin mësimor.

Në terren janë vendosur forcat e Policisë, të cilat kanë marrë masa për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e dëmtimeve të objekteve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme