Protesta dje në Tiranë, Policia: 55 të arrestuar, 98 të proceduar penalisht. 51 efektivë të lënduar

Aktualitet | 2 orë më parë

55 persona janë arrestuar dhe 98 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar më 14 tetor në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje dhe akte dhune. Sipas Policisë së Shtetit, gjatë tubimit u dëmtuan institucione publike, banka, biznese dhe automjete, ndërsa 51 punonjës policie mbetën të lënduar.

Në një njoftim për mediat, Policia bën me dije se protestues të maskuar kanë hedhur gurë, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private. Sipas autoriteteve, veprimet e dhunshme nisën përpara Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit, dhe vijuan më pas në disa akse të kryeqytetit.

Gjatë protestës u dëmtuan kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe tabelat e reklamave, semaforët dhe sinjalistika rrugore. Policia raporton gjithashtu dëmtime në godina të institucioneve shtetërore, banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.

Një nga episodet e raportuara nga policia lidhet me Komisariatin e Policisë Nr. 2, ku disa protestues dyshohet se kanë hyrë në rrethimin e godinës dhe kanë goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike.

Si pasojë, janë dëmtuar xhamat e fasadës dhe porta hyrëse. Po sipas policisë, një automjet i saj është djegur me lëndë djegëse, ndërsa tre automjete të parkuara janë dëmtuar.

Mes personave të arrestuar janë edhe dy të mitur, përkatësisht 15 dhe 17 vjeç.

Policia bën me dije se grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në aktet e dhunës, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjeve të ndodhura gjatë protestës së 14 tetorit.

Njoftimi i plotë i policisë:

Tiranë/Ushtruan dhunë ndaj punonjësve të Policisë, dëmtuan institucione shtetërore, pronë publike dhe private, si dhe shkatërruan bankomate, kamera, automjete dhe rrethime metalike gjatë tubimit të datës 14.10.2026, arrestohen në flagrancë 55 shtetas.

Procedohen penalisht 98 shtetas të tjerë.

Gjatë tubimit të zhvilluar më datë 14.10.2026, përpara Ministrisë së Arsimit, në rrugën e Durrësit dhe më pas në zona të tjera, dhjetëra pjesëmarrës të maskuar kanë ushtruar akte dhune, duke hedhur gurë, pllaka guri, sende të forta metalike, kapsolla dhe kokteje molotovi në drejtim të punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore, subjekteve private dhe ambienteve publike.

Si pasojë e akteve të dhunës, janë dëmtuar kangjellat rrethuese, muret dhe dritaret e godinës së Ministrisë së Arsimit, si dhe kangjellat e trotuareve, tabelat e reklamave dhe sinjalistika rrugore. Gjithashtu, janë dëmtuar godina të institucioneve shtetërore, banka, institucione financiare dhe biznese të ndryshme.

Më pas, protestuesit janë zhvendosur në akse të ndryshme rrugore të kryeqytetit, përfshirë bulevardet “Dëshmorët e Kombit” dhe “Gjergj Fishta”, rrugën “Muhamet Gjollesha” dhe rrugën e Durrësit, duke vijuar aktet e dhunës dhe dëmtimet ndaj institucioneve shtetërore dhe subjekteve private.

Gjithashtu, gjatë akteve të dhunës janë dëmtuar fasada xhami, bankomate, kamera, semaforë, sinjalistika dhe kangjella rrethuese të pronës publike dhe private.

Gjatë tubimit, disa prej protestuesve kanë hyrë në rrethimin e godinës së Komisariatit të Policisë Nr. 2, ku kanë goditur me sende të forta dhe lëndë piroteknike, duke dëmtuar xhamat e fasadës së godinës dhe portën hyrëse. Gjithashtu, kanë djegur me lëndë djegëse një automjet të Policisë dhe kanë dëmtuar me sende të forta tre automjete të parkuara.

Gjatë gjithë tubimit, punonjësit e Policisë të planëzuar në shërbim janë përballur me akte të vazhdueshme dhune, përmes hedhjes së gurëve, sendeve të forta, kapsollave dhe koktejeve molotovi nga grupe pjesëmarrësish të maskuar.

Si pasojë, janë dëmtuar 51 punonjës policie.

Në vijim të veprimeve për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, pas kryerjes së veprimeve procedurale:

U bë arrestimi në flagrancë i 55 shtetasve, konkretisht: E. L., 18 vjeç; N. T., 23 vjeç; H. A., 18 vjeç; B. M., 20 vjeç; B. B., 22 vjeç; N. Sh., 18 vjeç; A. Th., 19 vjeç; K. B., 28 vjeç; S. F., 18 vjeç; S. A., 45 vjeçe; A. H., 18 vjeç; J. P., 29 vjeç; Z. M., 30 vjeç; F. B., 18 vjeç; Sh. M., 22 vjeç; E. B., 23 vjeç; V. A., 36 vjeç; A. M., 18 vjeç; D. L., 18 vjeç; N. Ll., 28 vjeç; K. B., 26 vjeç; L. P., 20 vjeç; E. Sh., 18 vjeç; E. K., 19 vjeç; Xh. M., 26 vjeç; Xh. M., 24 vjeç; E. T., 18 vjeç; A. T., 30 vjeç; E. L., 19 vjeç; V. Ll., 27 vjeç; A. K., 22 vjeç; A. Ç., 36 vjeç; G. Q., 18 vjeç; A. Ç., 37 vjeç; D. D., 30 vjeç; E. S., 26 vjeç; E. C., 19 vjeç; E. C., 19 vjeç; A. B., 24 vjeç; G. S., 22 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; I. M., 23 vjeç; A. A., 44 vjeç; K. O., 20 vjeç; A. A., 24 vjeç; A. N., 19 vjeç; A. Z., 28 vjeç; A. J., 18 vjeç; R. C., 19 vjeç; S. H., 20 vjeç; K. B., 24 vjeç; R. S., 21 vjeç; R. D., 18 vjeç dhe 2 shtetas të mitur, 15 dhe 17 vjeç.

U proceduan penalisht 98 shtetas të tjerë.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon punën për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në akte dhune ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve shtetërore dhe subjekteve private, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të datës 14.10.2026.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme