Të mitur në protestë, Policia thirrje prindërve: Po përdoren në vijën e parë të përplasjeve, kontrolloni ku ndodhen fëmijët tuaj

Policia e Shtetit ka ngritur shqetësimin për pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestë, duke pretenduar se në disa raste ata janë vendosur në vijën e parë të përplasjeve. Përmes një deklarate, policia i bën thirrje prindërve që të tregojnë kujdes të shtuar për fëmijët dhe të sigurohen se ata nuk ndodhen në ambiente ku ka përplasje.
“Policia e Shtetit ka konstatuar me shqetësim pjesëmarrjen e një numri të konsiderueshëm të miturish në protestat e ditëve të fundit. Në disa raste, fëmijët janë gjendur në vijën e parë të përplasjeve, të ekspozuar drejtpërdrejt ndaj akteve të dhunës, sendeve të forta të hedhura dhe mjeteve të përdorura nga Policia për menaxhimin e situatës. Siguria e fëmijëve është një përgjegjësi që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të përdoret për asnjë qëllim.
Policia e Shtetit ka detyrimin ligjor të garantojë rendin dhe sigurinë publike, duke treguar kujdes të veçantë për mbrojtjen e të miturve. Por kjo përgjegjësi u takon, para së gjithash, prindërve dhe kujdestarëve ligjorë. Prandaj, u drejtohemi përsëri prindërve me një apel të qartë: Dijeni ku janë fëmijët tuaj! Mos lejoni që ata të ekspozohen ndaj dhunës dhe situatave që rrezikojnë jetën dhe shëndetin e tyre. Nëse fëmija juaj mungon në shkollë, interesohuni ku ndodhet. Asnjë fëmijë nuk duhet të gjendet mes gurëve, mjeteve piroteknike dhe gazit lotsjellës”, thotë Policia.
Sipas autoriteteve, përdorimi i fëmijëve si mburojë gjatë akteve të dhunës nuk mund të konsiderohet ushtrim i së drejtës për protestë, por një veprim që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre. Për këtë arsye, Policia e Shtetit bën me dije se çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do t’u përcillet institucioneve kompetente, në përputhje me ligjin.
“Në të njëjtën kohë, Policia e Shtetit shpreh shqetësimin e thellë për raste të dyshuara të përdorimit të të miturve në vijën e parë të përplasjeve, duke i ekspozuar ata ndaj rrezikut për qëllime të caktuara. Përdorimi i fëmijëve si mburojë për akte dhune nuk është ushtrim i së drejtës për protestë. Është një veprim i papranueshëm që cenon sigurinë dhe të drejtat e tyre. Çdo rast i dyshuar i nxitjes, organizimit apo shfrytëzimit të të miturve për veprime të kundërligjshme do të dokumentohet dhe do t’u referohet institucioneve kompetente, në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit respekton dhe garanton të drejtën e protestës paqësore, përfshirë të drejtat e të miturve, por do të marrë të gjitha masat e nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur jetën dhe sigurinë e tyre. Fëmijët nuk janë mburojë e askujt dhe nuk mund të kthehen në instrumente të përplasjeve për qëllime të caktuara. Asnjë kauzë nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije”, thotë Policia.
Në përfundim, Policia e Shtetit u bën thirrje pjesëmarrësve në protesta të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, duke kërkuar ndalimin e akteve të dhunës ndaj punonjësve të policisë, institucioneve dhe pronës publike e private.
“Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në tubime të distancohen menjëherë nga personat e maskuar dhe të dhunshëm dhe të mos bëhen pjesë e akteve të dhunës e të shkatërrimit. Ndaloni dhunën ndaj punonjësve të Policisë, institucioneve dhe pronës publike e private! Çdo akt dhune rrezikon jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të miturve. E drejta për protestë duhet të ushtrohet në mënyrë paqësore dhe nuk mund të përdoret si justifikim për dhunën dhe shkatërrimin”, theksohet në deklaratë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




