Protestat e dhunshme, Hita: Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike, 71 efektivë të plagosur në tre ditë trazira

Aktualitet | 2 orë më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka reaguar pas tre ditëve të protestave të dhunshme që kanë përfshirë kryeqytetin, duke deklaruar se Policia do të vazhdojë të zbatojë ligjin dhe të mbrojë qytetarët, pavarësisht sulmeve ndaj efektivëve dhe institucioneve.

Në një konferencë për mediat, kreu i Policisë së Shtetit tha se situata e krijuar në Tiranë ka sjellë pasoja të rënda, ndërsa bëri me dije se deri tani kanë mbetur të plagosur 71 punonjës policie.

“Prej gati 72 orësh, kryeqyteti po përballet me valë dhune, zjarrvënieje dhe shkatërrimi, duke vënë në rrezik jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Në këto ngjarje janë plagosur 71 efektivë, disa prej tyre me dëmtime të rënda”, deklaroi Hita.

Ai theksoi se Policia e Shtetit garanton të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar, por paralajmëroi se dhuna nuk mund të justifikohet në asnjë rast.

“Policia garanton të drejtën kushtetuese të çdo qytetari, studenti apo force politike për të protestuar paqësisht, por protesta nuk mund të jetë mburojë për dhunën dhe shkatërrimin e pronës”, u shpreh drejtori i Policisë.

Hita hodhi poshtë akuzat për përfshirje politike të uniformave blu, duke nënvizuar se institucioni që ai drejton është në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

“Policia nuk është pjesë e asnjë partie politike. Misioni ynë është të mbrojmë pronën dhe jetën”, deklaroi ai.

Në fjalën e tij, kryepolici iu drejtua edhe prindërve, mësuesve dhe pedagogëve, duke kërkuar që të mos lejojnë përfshirjen e të rinjve në akte dhune.

“U bëjmë thirrje prindërve që të mos lejojnë që gjimnazistët të bëhen pjesë e dhunës. U bëj apel edhe mësuesve dhe pedagogëve që të mos lejojnë përdorimin e të miturve në akte të paligjshme”, tha Hita.

Duke iu referuar të dhënave të Policisë, ai deklaroi se personat e arrestuar gjatë netëve të para të protestave nuk rezultojnë kryesisht studentë.

“Nga të gjithë të ndaluarit natën e parë në protestat e dhunshme, asnjëri nuk rezultoi student. Edhe në natën e dytë, vetëm një pjesë e vogël rezultuan studentë”, u shpreh ai.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, personat me maska që kanë sulmuar efektivët, institucionet dhe bizneset private nuk përfaqësojnë studentët protestues.

“Të rinjtë me maska që po sulmojnë dhe dhunojnë policinë dhe pronën publike e private nuk janë studentë, por janë rekrutuar nga ata që kanë organizuar protestën, eksponentë të brendshëm dhe të jashtëm”, deklaroi Hita.

Në fund të konferencës, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit përcolli një mesazh mbështetjeje për efektivët e angazhuar në terren, duke i ftuar ata të veprojnë me profesionalizëm dhe vetëpërmbajtje.

“Në këtë përballje me dhunën keni mbështetjen time të plotë, të Ministrisë së Brendshme dhe të qeverisë shqiptare. Kini profesionalizëm, vetëpërmbajtje dhe vendosmëri”, tha ai.

Ndërsa për organizatorët dhe autorët e akteve të dhunshme, Hita dha një mesazh të prerë:

“Për këdo që mendon se mund të imponojë vullnetin e tij përmes dhunës, mesazhi është i qartë dhe i prerë: Policia nuk tërhiqet. Institucionet dhe qytetarët do të mbrohen. Ligji do të zbatohet me përpikmëri dhe pa asnjë përjashtim.”

Vijon….

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme