Reagimi i Ministrisë së Kulturës pas dëmtimeve në Teatrin e Kukullave: Një akt i paprecedent ndaj tempullit të fëmijëve

Kulturë | 1 orë më parë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale anulimin e shfaqjeve artistike të parashikuara për këtë fundjavë në Teatrin e Kukullave, si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara në godinë gjatë ngjarjeve të fundit në kryeqytet.

Sipas ministrit, ky vendim është marrë për shkaqe sigurie, duke theksuar se “duke marrë shkas nga ngjarjet e pak orëve më parë pranë Teatrit të Kukullave dhe thyerja e dëmtimi i godinës, shfaqjet anulohen për të ruajtur atë që për ne është më e shtrenjtë: siguria e fëmijëve”. Po ashtu, autoritetet sqaruan se të gjitha biletat e blera për shfaqjen “Aventurat e Winnie Pooh” do të mbeten të vlefshme për shfaqjet e javëve në vijim.

Duke e cilësuar ngjarjen si një precedent të rëndë për trashëgiminë dhe jetën kulturore të qytetit, Gonxhja vuri nëduar se “deri më sot, Teatri i Kukullave kishte njohur vetëm dëme të shkaktuara nga forcat e natyrës. Dëmtimi i tij nga dora e njeriut është një akt i paprecedent, që na dhemb e na prek të gjithëve”.

Përmes mesazhit të tij drejtuar prindërve dhe opinionit publik, ministri nënvizoi vlerën simbolike e edukative të këtij institucioni, duke kujtuar se “pas këtyre xhamave ka vetëm gëzim! Këtu kukullat marrin jetë dhe breza të tërë fëmijësh kanë përjetuar emocionin e parë të teatrit. Çdo dëmtim i kësaj shtëpie prek edhe një copëz të fëmijërisë sonë”.

Gonxhja e përmbylli reagimin e tij me një apel të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e këtij mjedisi: “Ju lutemi, mos prekni tempullin e fëmijëve! Lëreni të mbushet me duartrokitje, të qeshura dhe ëndrra!”.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme