Bojkot dhe protesta edhe në rrethe, në disa qytete pati eskalim të situatës

Aktualitet | 1 orë më parë

Ndërsa në orët e para të ditës në Shkodër u marshua nëpër rrugë në mënyrë paqësore, me thirrje dhe pankarta në duar, si dhe me hedhje vezësh drejt godinës ku ndodhet Rektorati i Universitetit, panorama e mesditës ishte krejt tjetër.

Të rinjtë u mblodhën para Bashkisë, së cilës i thyen edhe xhamat. Me gurë dhe sende të forta goditën gjithashtu selitë e PS-së dhe PD-së. Pas këtyre akteve, policia ndërhyri duke shpërndarë protestuesit dhe duke shoqëruar disa të rinj.

Ky veprim i policisë i zhvendosi protestuesit para Drejtorisë së Policisë, ku sërish pati përplasje të forta fizike mes dy palëve, si dhe të lënduar.

Komandanti i forcave të rendit në Policinë e Shkodrës, Fasli Rama, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ai u godit me gur në kokë nga protestuesit që ndodheshin përpara Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër. Për shkak të gjendjes së rëndë dhe rrezikut për jetën, ai është nisur me urgjencë drejt Tiranës.

Në Korçë, protesta pati të njëjtin skenar si në Tiranë. Për rreth pesë orë u regjistruan përplasje dhe tensione. Të rinjtë thyen dhe dëmtuan hollin e gjimnazit “Raqi Qirinxhi”, xhamat e Drejtorisë Arsimore dhe sinjalistikën rrugore të qytetit.

Ata bllokuan për disa orë rrugët kryesore, ndërsa u përplasën fizikisht me policinë, madje edhe me drejtorin e Policisë së Korçës.

Protestuesit deklaruan se kërkojnë kushte më të mira në shkolla dhe universitete, si dhe dorëheqjen e qeverisë.

“Ne protestojmë për ato familje që paguajnë për fëmijët e tyre.”

“Ne protestojmë për një të ardhme më të mirë, që të mund të punojmë në vendin tonë.”

Edhe në këtë qytet pati shoqërime të të rinjve nga policia.

Në Durrës, rreth 30 të rinj janë shoqëruar nga policia pas veprimeve të dhunshme në rrugë dhe ndaj disa institucioneve.

Ata kanë gjuajtur me vezë dhe gurë drejt Bashkisë, kanë dëmtuar disa ekspozitorë dhe kanë ndezur zjarr.

Nga përplasjet gjatë protestës kanë mbetur të plagosur pesë efektivë policie. Ndërkohë, policia ngriti barrikada rreth 50 metra larg godinës së saj, pasi protestuesit hodhën gurë dhe pllaka trotuari në drejtim të efektivëve.

Në Vlorë, gjimnazistë dhe studentë të Universitetit “Ismail Qemali” marshuan në bulevardin e qytetit, ku për disa minuta bllokuan edhe qarkullimin e mjeteve. Ata u ndalën para Bashkisë së Vlorës, ku kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Gjatë protestës, situata u tensionua, ndërsa protestuesit hodhën sende piroteknike dhe fishekzjarrë. Gjithashtu, u hodhën sende dhe vezë në drejtim të godinës së Bashkisë së Vlorës dhe punonjësve të policisë.

Edhe në Lushnjë, nxënësit bojkotuan mësimin dhe dolën në rrugët e qendrës së qytetit me thirrjet “Rama, jep dorëheqjen”.

Ndërsa në Kukës, pas përfundimit të mësimit, gjimnazistët u mblodhën para Bashkisë, i vunë flakën gjelbërimit dhe dëmtuan stola e kosha mbeturinash, duke përsëritur të njëjtat thirrje si protestuesit në qytetet e tjera të vendit.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme