Protesta studentore në gjithë Italinë, molotovë dhe fishekzjarrë drejt institucioneve, policia kontrolle në banesat e 14 të rinjve

Botë | 1 orë më parë

Italia po përballet me një valë protestash studentore dhe grevash në shkolla, me demonstrata nga veriu në jug të vendit, pushtim të dhjetëra institucioneve arsimore dhe përplasje me forcat e rendit. Në Romë, protestues të maskuar kanë hedhur bomba artizanale dhe fishekzjarrë drejt Ministrisë së Arsimit, ndërsa në Padova policia ka ndërmarrë kontrolle parandaluese në banesat e 14 të rinjve, pas dyshimeve për planifikimin e akteve të dhunshme.

Protestat e së premtes, më 16 tetor, janë organizuar në kuadër të lëvizjes “No Meloni Day”, kundër politikave të qeverisë së Giorgia Melonit në fushën e arsimit. Nxënësit dhe studentët kundërshtojnë koston e lartë të jetesës, përkeqësimin e kushteve në shkolla, kufizimet për nxënësit e huaj dhe atë që e cilësojnë si një model shkollimi me masa të tepruara disiplinore.

Në të njëjtën ditë, dy sindikata kanë shpallur mobilizimin e personelit arsimor, përfshirë mësuesit dhe punonjësit e tjerë të shkollave, duke shtuar rrezikun e ndërprerjes së mësimit në disa zona të vendit.

Romë, fishekzjarrë dhe bomba artizanale drejt Ministrisë së Arsimit

Në kryeqytetin italian, gjatë marshimit të studentëve në zonën qendrore, në rrugën Marmorata, disa persona me fytyra të mbuluara kanë hedhur bomba artizanale dhe fishekzjarrë. Ata kanë nxjerrë gjithashtu kazanë mbeturinash në mes të rrugës, me qëllim bllokimin e qarkullimit.

Protestuesit janë ndalur edhe pranë Ministrisë së Arsimit, në bulevardin Trastevere, ku kanë hedhur fishekzjarrë drejt ndërtesës dhe kanë brohoritur: “Ne nuk do të largohemi që këtu” dhe “Valditara, dil nga ndërtesa”, duke iu referuar ministrit italian të Arsimit, Giuseppe Valditara.

Përballë situatës, forcat e rendit janë pozicionuar në hyrje të ministrisë me pajisje kundër trazirave.

Padova, kontrolle në banesat e 14 të rinjve pas bisedave për molotovë

Ndërhyrje parandaluese janë kryer edhe në Padova, ku policia e Digos, (Divizioni i Investigimeve të Përgjithshme dhe Operacioneve Speciale) njësia hetimore e policisë italiane, ka kontrolluar banesat e të rinjve të dyshuar për planifikimin e akteve të dhunshme gjatë protestave.

Sipas hetuesve, në një grup komunikimi në WhatsApp, të quajtur “16/10”, ishin diskutuar veprime të dhunshme, përfshirë djegien e kazanëve të mbeturinave dhe pjesëmarrjen në protesta me kapuçë, fishekzjarrë dhe mjete tymuese. Në biseda dyshohet se është përmendur edhe hedhja e koktejeve molotov drejt komisariatit të policisë.

Për 14 të rinjtë janë vendosur masa parandaluese personale. Hetimet lidhen me dyshimet për nxitje të kryerjes së veprave penale.

Verona, studentët djegin kazanët e mbeturinave

Në Verona, një grup nxënësish të institutit shtetëror “Giorgi” u ka vënë flakën pesë kazanëve të mbeturinave dhe një monopatine të parkuar pranë tyre.

Sipas raportimeve, veprimi dyshohet se ishte një formë proteste kundër masave disiplinore të ndërmarra nga drejtuesit e shkollës pas disa episodeve të përleshjeve mes nxënësve.

Të rinjtë dyshohet se ishin organizuar përmes një grupi komunikimi dhe, përpara nisjes së mësimit, hodhën fishekzjarrë dhe dogjën kazanët. Në vendngjarje ndërhynë zjarrfikësit dhe policia, ndërsa hetimet i janë besuar Digos së Veronës.

Torino, përplasje me policinë dhe një 17-vjeçar i arrestuar
Tensione janë regjistruar edhe në Torino, ku një grup prej rreth 40 të rinjsh, me fytyra të mbuluara me maska dhe kapuçë, ka hyrë në disa shkolla. Gjatë incidenteve, disa prej tyre kanë hedhur gurë drejt karabinierëve, duke plagosur një efektiv, i cili ka marrë një raport mjekësor për 10 ditë pushim.

Një 17-vjeçar është arrestuar për rezistencë ndaj një punonjësi publik dhe është denoncuar për dëmtim të rëndë të pronës. Ndërkohë, disa të rinj të tjerë janë identifikuar nga autoritetet.

Përplasjet kanë vijuar në sheshin Castello, ku një pjesë e protestuesve janë shkëputur nga marshimi kryesor, kanë mbuluar fytyrat dhe kanë hedhur gurë e flakadanë drejt forcave të rendit. Policia është kundërpërgjigjur me autobotë uji dhe gaz lotsjellës.

Dhjetëra shkolla të pushtuara
Valës së protestave i janë bashkuar edhe shkollat në qytete të tjera italiane. Në Torino raportohen rreth 20 institucione të arsimit të mesëm të pushtuara, ndërsa në Romë janë rreth 10 dhe në Genova tre. Pushtime janë raportuar edhe në Milano, Napoli dhe Bolonja.

Protestat vijnë në një kohë kur lëvizjet studentore në disa vende evropiane po shtojnë presionin ndaj qeverive për politikat arsimore dhe kostot e jetesës. Në Itali, demonstratat e 16 tetorit kanë bashkuar kërkesat për më shumë investime në shkollat publike, kushte më të mira infrastrukturore dhe kundërshtimin e reformave të qeverisë. /Burimi: Tgcom24/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme