Protesta e dhunshme në Tiranë, një efektiv policie dhe dy të mitur mbeten të lënduar dhe paraqiten në Spitalin e Traumës

Aktualitet | 2 orë më parë

Përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë gjatë ditës së katërt të protestave në Tiranë kanë lënë disa persona të lënduar, të cilët janë paraqitur për ndihmë mjekësore në Spitalin Universitar të Traumës.

Sipas të dhënave të përditësuara deri në orën 17:00, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore pesë persona, mes tyre një efektiv policie, dy të mitur të moshës 16 dhe 17 vjeç, dhe një kalimtar.

Efektivi i policisë dhe njëri prej të miturve kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar, ndërsa 17-vjeçari vijon të jetë nën kujdesin dhe ekzaminimin e mjekëve.

Gjendja shëndetësore e protestuesit dhe kalimtarit raportohet e mirë.

Autoritetet shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa nuk raportohen raste me dëmtime të rënda deri në këtë fazë të protestës.

Njoftimi i plotë i Spitalit Universitar të Traumës (ora 17:00):

Në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur për ndihmë mjekësore:

Një efektiv policie, i cili ka marrë trajtim mjekësor dhe është larguar;

Dy të mitur, të moshës 16 dhe 17 vjeç. Njëri ka marrë trajtim dhe është larguar, ndërsa tjetri po ekzaminohet nga stafi mjekësor;

Një protestues, në gjendje të mirë shëndetësore;

Një kalimtar, në gjendje të mirë shëndetësore.

Spitali Universitar i Traumës vijon ndjekjen dhe vlerësimin e rasteve që paraqiten për ndihmë mjekësore.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme