Dita e 4-t e protestës/Bilanci shëndetësor, 21 të lënduar në Tiranë, mes tyre 10 protestues dhe 8 policë

Aktualitet | 1 orë më parë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale informoi mëngjesin e sotëm në lidhje me gjendjen shëndetësore të personave të lënduar gjatë protestës së djeshme në Tiranë dhe në disa qytete.

Gjatë protestës së zhvilluar më 16 tetor 2026, gjithsej 21 persona morën trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës në Tiranë. Mes të lënduarve ishin 8 efektivë të Policisë, 10 protestues, mes tyre 3 të mitur, si dhe 3 kalimtarë.

Sipas informacionit mbi gjendjen shëndetësore të të lënduarve, dy persona vijojnë të marrin shërbim mjekësor në Spitalin e Traumës. Bëhet fjalë për një kalimtar, i cili paraqitet në gjendje të qëndrueshme, dhe një protestues 21-vjeçar, i cili po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë.

Për 21-vjeçarin, aktualisht nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.

Të gjithë personat e tjerë të paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar me këshillën e mjekut, jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, edhe në spitalet rajonale janë trajtuar persona të lënduar gjatë protestës. Në Spitalin Rajonal të Vlorës morën ndihmë mjekësore një efektiv policie dhe dy të mitur, të cilët janë larguar pas trajtimit.

Në Spitalin Rajonal të Lezhës u trajtua gjithashtu një e mitur, e cila ka lënë spitalin pas marrjes së ndihmës mjekësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme