Zjarri në Gjykatën e Lartë, Gogu: Kush i vë flakën një gjykate, godet të drejtën për drejtësi

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka reaguar pas ngjarjeve të mbrëmjes, ku flakët prekën Gjykatën e Lartë, ndërsa sipas informacioneve të raportuara u dëmtua edhe hyrja e Bankës së Shqipërisë.
“Dy institucione të pavarura. Asnjëri nuk është zyrë e qeverisë. Të dy i shërbejnë vendit dhe qytetarëve”, theksoi Gogu.
Ministri dënoi aktet e dhunës, duke bërë një dallim të qartë mes protestës dhe dëmtimit të institucioneve.
“Edhe ata që protestojnë, edhe ata që janë të zemëruar me qeverinë, kanë të njëjtën të drejtë për drejtësi. Protesta është një e drejtë. Dhuna nuk është protestë”, u shpreh ai.
Gogu falënderoi zjarrfikësit, shprehu solidaritetin me gjyqtarët dhe punonjësit e Gjykatës së Lartë dhe konfirmoi gatishmërinë e Ministrisë së Drejtësisë për të ofruar mbështetje brenda kompetencave ligjore, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit.
“Njerëzit nuk duhet të paguajnë çmimin e dhunës. Dera e drejtësisë duhet të mbetet e hapur për të gjithë”, përfundoi ministri.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




