Sulmohen diplomatët evropianë në Bregun Perëndimor nga kolonët izraelitë

Një delegacion diplomatësh evropianë është sulmuar nga kolonë izraelitë të maskuar në fshatin Taybeh, në Bregun Perëndimor të pushtuar. Belgjika ka dënuar incidentin dhe ka kërkuar që autorët të dalin para drejtësisë, ndërsa autoritetet izraelite kanë njoftuar nisjen e një hetimi.
Në delegacion merrnin pjesë përfaqësues nga Belgjika, Franca, Polonia dhe Kisha Katolike, të cilët kishin mbërritur në zonë për të vlerësuar situatën pas raportimeve për sulme të përsëritura ndaj palestinezëve gjatë sezonit të korrjes së ullinjve.
Sipas autoriteteve belge, një automjet i konsullatës së vendit pësoi dëmtime, pasi iu thye një xham. Raportimet bëjnë gjithashtu me dije se Bernard Baudoux, kryetar i bashkisë franceze Aulnoye-Aymeries, u sulmua gjatë incidentit. Ai deklaroi se u godit nga kolonët me shufra hekuri dhe u rrëzua në tokë.
Ministri i Jashtëm belg, Maxime Prévot, e dënoi sulmin, duke theksuar se autoritetet izraelite kanë përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e diplomatëve, gazetarëve dhe palestinezëve, si dhe të ndëshkojnë personat përgjegjës.
Edhe ushtria izraelite (IDF) dënoi atë që e cilësoi si një akt të rëndë dhune dhe konfirmoi se po heton ngjarjen. Sipas saj, nga hetimet paraprake rezulton se asnjë ushtar izraelit nuk ndodhej në vendin e ngjarjes në momentin e sulmit.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, dënoi gjithashtu dhunën e ushtruar nga persona që i cilësoi si “trazues izraelitë”, por vuri në dukje se vizita e delegacionit nuk ishte koordinuar paraprakisht me ushtrinë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




