Protestat në Tiranë, zv.ministrja Ruseti apel prindërve: Mos i përfshini fëmijët në përplasje, mbi 270 persona kanë marrë ndihmë mjekësore

Zv.ministrja e Punëve të Brendshme, Anisa Ruseti, u ka bërë thirrje prindërve që të mos lejojnë përfshirjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në protesta të dhunshme, duke paralajmëruar për rreziqet që u kanosen shëndetit dhe sigurisë së tyre.
Përmes një deklarate, ajo bëri të ditur se vetëm ditët e fundit mbi 270 persona kanë marrë shërbim mjekësor, mes tyre protestues, kalimtarë dhe efektivë të Policisë së Shtetit.
Sipas Rusetit, rreth 70 prej personave që kanë marrë ndihmë mjekësore kanë qenë pjesëmarrës në protesta ose kalimtarë, ndërsa mbi 170 kanë qenë punonjës të policisë.
Ajo nënvizoi se e drejta për protestë paqësore garantohet nga Kushtetuta, por pjesëmarrja e të rinjve duhet të zhvillohet në mënyrë të tillë që të mos rrezikojë jetën, shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
“Në emër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Qeverisë shqiptare, u drejtohemi prindërve, kujdestarëve dhe të gjithë qytetarëve për mospërfshirjen e fëmijëve dhe adoleshentëve në protesta të dhunshme. Këto protesta mund të vendosin seriozisht në rrezik shëndetin dhe mirëqenien e tyre. Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje dhe nuk mund të mbajnë përgjegjësi për veprimet e personave që i nxisin drejt dhunës. Mbrojtja e fëmijëve është një prioritet për të gjithë ne. Ngjarjet e fundit kanë evidentuar rreziqe, të cilat i kanë përfshirë edhe ata. Vetëm gjatë ditëve të fundit, mbi 270 persona i janë drejtuar spitalit për shërbim mjekësor, nga të cilët rreth 70 kanë qenë persona që kanë marrë pjesë në protesta apo kalimtarë dhe mbi 170 kanë qenë efektivë të Policisë së Shtetit.
Ju urojmë të gjithëve një shërim të shpejtë, e mbi të gjitha urojmë që situata të tilla mos të përsëriten në ditët në vijim. E drejta për protestë paqësore është e garantuar nga Kushtetuta dhe përfshin edhe të drejtën e të rinjve për të marrë pjesë duke u dëgjuar sipas mënyrës së tyre, nëpërmjet komunikimeve që qeta, ku në asnjë rast nuk vihet në rrezik siguria dhe shëndeti i tyre. Njëkohësisht, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsideratë parësore në çdo vendim dhe veprim që e prek atë. Ky parim kërkon nga të gjithë ne, të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna dhe ekspozimi ndaj rrezikut”, shkruan ajo.
Ruseti iu drejtua drejtpërdrejt prindërve dhe kujdestarëve, duke u kërkuar të tregojnë kujdes për vendndodhjen e fëmijëve, shoqërinë me të cilën qëndrojnë dhe përmbajtjet apo thirrjet që marrin në rrjetet sociale. Ajo i këshilloi prindërit të bisedojnë me fëmijët për rreziqet e protestave të dhunshme dhe t’i udhëzojnë që të largohen menjëherë drejt një vendi të sigurt në rast tensioni apo përplasjeje. Sipas zv.ministres, edhe personat që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në incidente mund të rrezikojnë të lëndohen nëse ndodhen pranë përplasjeve.
“Të dashur prindër dhe kujdestarë, është e rëndësishme të dini ku ndodhen fëmijët tuaj, me kë janë dhe çfarë përmbajtjesh ose thirrjesh marrin në rrjetet sociale. Flisni me ta për rreziqet dhe këshillojini që, në rast tensioni, të largohen menjëherë nga vendi ku ata ndodhen e të jenë në një vend të sigurt. Edhe pa marrë pjesë në incidente, prania pranë përplasjeve mund t’i ekspozojë ata ndaj lëndimit. Përgjegjësia jonë përfshin edhe vëmendjen ndaj pasojave që dhuna mund të shkaktojë në zhvillimin e fëmijëve. Përjetimi ose dëshmimi i saj mund të sjellë frikë, pasiguri dhe pasoja psikologjike afatgjata. Normalizimi i dhunës mund të krijojë bindjen se konfliktet zgjidhen përmes forcës dhe se dëmtimi i të tjerëve është e vetmja mënyrë e pranueshme për të kërkuar të drejta. Fëmijët dhe adoleshentët duhet të mbështeten që të argumentojnë, të kundërshtojnë dhe të kërkojnë llogari duke respektuar jetën dhe dinjitetin njerëzor”, bën thirrje zv.ministrja.
Gjatë deklaratës, Ruseti u ndal edhe te mënyra e menaxhimit të protestave, duke theksuar se ndërhyrjet e Policisë së Shtetit duhet të jenë në përputhje me ligjin dhe standardet evropiane. Ajo shtoi se çdo pretendim për përdorim të tepruar të forcës nga punonjësit e policisë do të shqyrtohet në mënyrë të paanshme, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
“Standardet evropiane kërkojnë që menaxhimi i protestave të mbështetet në komunikim, ulje të tensioneve dhe përdorim të forcës vetëm kur është i domosdoshëm dhe në masën minimale të nevojshme, ky standard duhet të udhëheqë veprimtarinë dhe punën e Policisë së Shtetit. Veprimet e dhunshme të individëve nuk justifikojnë trajtimin e të gjithë pjesëmarrësve si persona të dhunshëm dhe as vendosjen e përgjegjësive kolektive. Për këtë arsye, Policia e Shtetit ka bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe distancimin e personave që ushtrojnë dhunë. Ministria e Punëve të Brendshme ka kërkuar që çdo veprim policor të jetë i ligjshëm, proporcional dhe vetëm atëherë kur është i nevojshëm. Ndërsa çdo pretendim për përdorim të shtuar apo tepruar të dhunës do të shqyrtohet në mënyrë të paanshme dhe sipas gjithë legjislacionit në fuqi”, shprehet ajo.
Në fund të deklaratës, zv.ministrja u bëri thirrje organizatorëve të protestave, përfaqësuesve politikë dhe të gjithë personave që ndikojnë te të miturit që të shmangin nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës.
“Po aq i rëndësishëm është besimi i tyre te Policia e Shtetit, si institucioni ku mund të kërkojnë ndihmë dhe mbrojtje. Paraqitja e policisë si kundërshtare e të rinjve, si dhe çdo sjellje e paligjshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, e dëmton këtë besim. Ruajtja dhe forcimi i tij kërkojnë profesionalizëm, trajtim të barabartë, transparencë dhe përgjegjësi për çdo shkelje.
U bëjmë thirrje organizatorëve, përfaqësuesve politikë, mediave dhe çdo të rrituri, që ushtron ndikim te fëmijët të kontribuojnë në mbrojtjen e tyre, duke shmangur nxitjen e përplasjeve dhe normalizimin e dhunës. Të miturit nuk duhet të përfshihen në përplasje politike dhe nuk mund të përdoren për të mbrojtur askënd. Interesi më i lartë i fëmijës duhet të udhëheqë veprimet e të gjithë aktorëve, pavarësisht kundërshtive politike. Mbrojtja e të drejtave të tyre kërkon angazhim të përbashkët, me synim që asnjë fëmijë të mos lëndohet në përplasjet në rrugë. Fëmijët janë përgjegjësi e përbashkët dhe duhet të mbrohen. Ju lutem bashkëpunoni me Policinë e Shtetit, bashkëpunoni me shtetin shqiptar!”, përfundon deklaratën e saj zv.ministrja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



