Dita e gjashtë e protestës- Tensionohet situata, protestuesit hedhin mjete piroteknike dhe gurë, Policia përgjigjet me gaz lotsjellës

Aktualitet | 1 orë më parë

Studentë dhe qytetarë vijojnë protestën në Tiranë për të gjashtën ditë radhazi, duke u mbledhur sërish para Ministrisë së Arsimit. Protesta nisi rreth orës 12:30, fillimisht në mënyrë të qetë. Megjithatë, situata u tensionua më pas, kur protestuesit nisën të grumbullonin gurë nga trotuaret, me të cilët goditën forcat e policisë. Gjatë tubimit janë hedhur gjithashtu mjete piroteknike, duke shtuar tensionet para godinës së Ministrisë së Arsimit.

Si pasojë e incidenteve, ka mbetur e lënduar edhe një gazetare, përfaqësuese e një medieje greke. Sipas gazetares Elda Lamja, e cila raportoi mbi situatën, e lënduara u mor nga ambulanca për t’u transportuar në spital. Ndërkohë, sulmeve të protestuesve, policia i është përgjigjur me gaz lotsjellës dhe ujë

Pas tensioneve të regjistruara para Ministrisë së Arsimit, protestuesit kanë nisur marshimin nëpër kryeqytet.

Prej 6 ditësh, studentë, nxënës dhe qytetarë kanë protestuar në Tiranë, shoqëruara me akte dhune dhe ndërhyrje të Policisë së Shtetit. Protesta e e së premtes (17 tetor) u shoqërua me orë të tëra tensionesh dhe përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, ndërsa situata u përshkallëzuar nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të kryeqytetit.

Protestuesit hodhën molotovë drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke i vënë flakën hyrjes së institucionit. Zjarre u raportuan gjithashtu në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe automjete në zonën pranë saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme