Egnatia mposht Vllazninë, në ndjekje të Teutës

Egnatia ndjek hap pas hapi Teutën kryesuese pas tri pikëve të marra falë fitores 3-1 kundër Vllaznisë. Një fitore e rëndësishme, por aspak e lehtë për skuadrën kampione, që përballë pati një kundërshtar luftarak e që nuk u dorëzua deri në fundin e takimit. Avantazhi i Egnatias erdhi shpejtë, falë një penalltie të shkaktuar nga Gurishta, që me këmbën e ngritur lart goditi në fytyrë Adjessa teksa ky po përpiqej të godiste një top me kokë brenda zonës.
Goditjen nga pika e bardhëm, në minutën e nëntë, e merr përsipër Albanese që mposht Jukajn. Vllaznia reagon, por mundësia e barazimit i vjen vetëm pas 15 minutash, kur Balaj gjuan brenda zonës, Tandilashvili i mohon golin, e më pas është Murataj që gjuan mbi tra. Më pas, është Musta që provon me një goditje dënimi, në minutën e 31-të, me topin që del jashtë pranë shtyllave.
Mundësia më e mirë është në këmbët e Muratajt, në të 36-tën, por edhe këtë herë portieri i Egnatias bëhet shpëtimtar. Janë minuta të mira për Vllazninë, por goli i radhës i përket sërish skuadrës së Nevil Dedes, kur Adjesa gjuan saktë me kokë, pas krosimit nga Smajli, katër minuta para pushimit.
E njëjta pamje loje vazhdon edhe në pjesën e dytë, me shkodranët që përpiqen të realizojnë dhe vendasit që synojnë të ulin ritmin. Megjithatë, Vllaznia arrin ta gjejë golin që rihap lojën në minutën e 59-të, kur Balaj pason mirë te Perez që tund rrjetën.
Kuqeblutë besojnë dhe shtojnë sulmet, derisa iu vjen një rast i shkëlqyer për të barazuar, në minutën e 70-të, kur topi i gjuajtur nga Balaj, pas ndërprerjes nga mbrojtja, shkon te Perez që gjuan përballë Tandiazhvilit, por ky i fundit kryen një mrekulli dhe mbron epërsinë e skuadrës së tij.
Vllaznia vazhdon me sulmet, megjithatë nuk arrin të krijojë, deri sa një shkodran i jep fund praktikisht lojës, Gruda, që shënon golin e tretë për Egnatian. Kampionët arrijnë kuotën e 18 pikëve, një më pak se Teuta, një dyshe e shkëputur tashmë në krye të renditjes.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




