Përditësim nga Ministria e Shëndetësisë: Trajtohen 19 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 gazetare

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale (MSHMS) ka nxjerrë një buletin të përditësuar informativ në orën 21:00, lidhur me bilancin e të lënduarve nga zhvillimet e sotme dhe situatën e të shtruarve në qendrat spitalore të kryeqytetit.
Sipas të dhënave zyrtare të MSHMS-së, përgjatë ditës së sotme në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) kanë marrë shërbim mjekësor gjithsej 23 persona. Mes të trajtuarve numërohen 17 efektivë policie, 1 protestues i mitur, 1 përfaqësuese e medias si dhe 4 kalimtarë. Autoritetet sqarojnë se aktualisht në urgjencën e SUT-së po merr trajtim vetëm 1 efektiv policie, ndërsa gazetarja është shtruar për ekzaminime të mëtejshme, me gjendje shëndetësore që vlerësohet e mirë.
Ndërkohë, pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) janë paraqitur gjatë ditës 5 të lënduar, nga të cilët 2 efektivë policie dhe 3 protestues. Nga ky grup, vetëm njëri prej efektivëve vijon të marrë shërbim mjekësor në urgjencë, ndërsa personat e tjerë janë larguar pas marrjes së ndihmës dhe këshillës mjekësore.
Për sa i përket ecurisë së përgjithshme që nga fillimi i tensioneve më 13 tetor, numri i personave që vijojnë të marrin mjekim të specializuar në spital ka arritur në 14, mes të cilëve numërohen 5 efektivë policie, 4 protestues, 4 kalimtarë dhe 1 përfaqësuese e medias.
Në përmbyllje të njoftimit, MSHMS-ja shprehu mirënjohjen për punën e bluzave të bardha, duke theksuar se “shpreh falënderimin për të gjithë mjekët, infermierët dhe ekipet shëndetësore, të cilët me profesionalizëm po ofrojnë kujdesin e nevojshëm për çdo të lënduar, pa dallim dhe në çdo rrethanë”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




