“Protesta është e drejtë, dhuna është krim”, Rama: Gati për dialog me këdo përveç dhunuesve

Aktualitet | 1 orë më parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me protestat e dhunshme të ditëve të fundit, duke theksuar se e drejta për të protestuar duhet respektuar, por se aktet e dhunës nuk mund të tolerohen. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë u shpreh se qeveria është e gatshme për dialog pa kushte, por jo me ata që ushtrojnë dhunë apo me forcat politike që, sipas tij, nuk distancohen prej saj.

Rama nënvizoi se në këtë moment të rëndësishëm për demokracinë shqiptare duhet bërë një ndarje e qartë mes protestës si mjet demokratik dhe dhunës si vepër e dënueshme nga ligji.

“Protestat janë një E DREJTË, ndërsa Dhuna është KRIM dhe kjo vijë e kuqe do të ndahet prerazi në këtë fazë kritike të zhvillimit tonë demokratik”, shkruan kryeministri.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të tregojnë durim dhe të mos bien pre e asaj që i cilësoi si manipulime mediatike dhe dezinformim në rrjetet sociale.

“Qytetarët duhet të bëjnë durim, e të mos bien pre e presionit të manipulatorëve mediatikë dhe pasqyrave telefonike”, theksoi Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri paralajmëroi se protestuesit duhet të distancohen nga personat që kryejnë akte të dhunshme, duke shtuar se në të kundërt mund të përballen edhe me pasoja financiare.

“Protestuesit duhet të distancohen nga dhunuesit, përndryshe do të paguajnë financiarisht njësoj si ata. Dhunuesit duhet dhe do të marrin faturën ligjore e financiare të verbërisë së tyre”, u shpreh ai.

Rama përsëriti gjithashtu gatishmërinë për dialog, duke vendosur si kusht të vetëm refuzimin e dhunës.

“Unë dhe shumica qeverisëse jemi gati për dialog me këdo tjetër përveç dhunuesve dhe partive politike që nuk distancohen nga dhuna. Në çdo vend. Në çdo orë. Pa kushte”, shkroi kryeministri.

Postimi është shoqëruar edhe me një foto nga protesta të zhvilluara në vende të tjera.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme