Alarme për bombë në gjykatat e Fierit, Lushnjës dhe Shkodrës, policia kryen verifikimet

Aktualitet | 1 orë më parë

Mesazhe kërcënuese për bombë janë raportuar në disa institucione të drejtësisë në vend, duke shkaktuar alarm dhe vënë në lëvizje forcat e Policisë. Kërcënimet kanë prekur Gjykatën dhe Prokurorinë e Fierit, Gjykatën Administrative të Lushnjës, si dhe ambientet pranë Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës.

Në Fier, një mesazh kërcënues për bombë ka mbërritur në administratën e Gjykatës dhe Prokurorisë, duke shkaktuar shqetësim mes punonjësve. Pas marrjes së njoftimit, godinat janë evakuuar, ndërsa në zonë është shtuar prania e forcave të Policisë, të cilat kanë ndërmarrë veprimet përkatëse për verifikimin e situatës.

Ndërkohë, alarmi për bombë është dhënë edhe mëngjesin e sotëm në Gjykatën Administrative të Lushnjës, pas një mesazhi të mbërritur në adresën elektronike të institucionit.

Pas njoftimit, në vendngjarje ka mbërritur Policia, e cila ka kontrolluar godinën për të verifikuar nëse kishte ndonjë objekt të dyshimtë. Pas kontrolleve, alarmi rezultoi i rremë dhe punonjësit kanë vijuar normalisht punën.

Një tjetër email kërcënues është raportuar edhe pranë Gjykatës dhe Prokurorisë së Shkodrës. Edhe në këtë rast, autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar natyrën e kërcënimit dhe nëse ekziston ndonjë rrezik për sigurinë.

Deri më tani, nuk ka informacion të konfirmuar për autorët e mesazheve kërcënuese. Autoritetet po kryejnë verifikimet përkatëse, ndërsa pritet të bëhen të ditura detaje të tjera mbi situatën në institucionet e përfshira.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme