Kanceri i gjirit prek moshat e reja, 30 raste të reja në Shkodër, apel për kontrolle

Shëndet | 56 minuta më parë

Ulja e moshës së prekur nga kanceri i gjirit mbetet shqetësim i bluzave të bardha në Shkodër.

Mjekja onkologe Lidia Zmijani thotë se ndërgjegjësimi për ekzaminimet mbetet arma më e fortë për parandalimin e sëmundjes.

“Rritja e incidencës së kancerit të gjirit te gratë në moshë të re është gjithnjë e më shumë një shqetësim serioz. Prandaj, nëse më parë mamografia rekomandohej të kryhej pas moshës 50-vjeçare, tashmë rekomandohet të bëhet që pas moshës 40 vjeç. Por ne themi gjithmonë se sa më herët të diagnostikohet kanceri i gjirit, aq më të larta janë shanset për një trajtim të suksesshëm dhe për një shërim të plotë nga kjo sëmundje.”

Zmijani apelon ndaj vajzave dhe grave se mamografia është një ekzaminim falas në çdo muaj të vitit.

“Ka një lloj ndërgjegjësimi dhe kjo na bën të jemi optimistë, por duhet ta kemi parasysh që kontrollet të kryhen edhe gjatë muajve të tjerë të vitit, jo vetëm në tetor, pasi fluksi është goxha i madh gjatë këtij muaji. Mamografia po kryhet në Poliklinikën e Shkodrës, prandaj u bëj thirrje të gjitha grave dhe vajzave mbi 40 vjeç në qarkun e Shkodrës që të paraqiten pranë poliklinikës vetëm me kartën e identitetit për të kryer mamografinë.”

Një vit më parë, 24 raste të reja janë zbuluar në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ndërsa këtë vit janë regjistruar 30 raste. Ky numër mund të rritet me ekzaminimet që po kryhen përgjatë muajit tetor.

Gazetare :M.Gjoni

 /rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme