Ngjarje e rëndë në Kamëz, vriten me armë zjarri dy vëllezër, plagoset i treti. Në pranga autori i dyshuar, efektiv i Policisë Ushtarake

Aktualitet | 60 minuta më parë

Dy vëllezër kanë humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pas një konflikti me armë zjarri në zonën e Bathores, në Kamëz. Ngjarja e rëndë ndodhi në rrugën “Petrela” pas një sherri për motive të dobëta, ndërsa autori i dyshuar, 40-vjeçari me inicialet N. M., rezulton të jetë punonjës i Policisë Ushtarake.

Sipas Policisë, ngjarja ndodhi për motive të dobëta, ndërsa konflikti mes 40-vjeçarit, dhe tre vëllezërve S. I., N. I. dhe Sh. I. u përshkallëzua deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Si pasojë e të shtënave, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa dy vëllezërit e tjerë, N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan në spital.

Pavarësisht ndihmës mjekësore, 48-vjeçari nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë, ndërsa vëllai tjetër, rreth 44 vjeç, vijon të jetë nën kujdesin e mjekëve.

Pas ngjarjes, Policia vuri në pranga autorin e dyshuar, ndërsa eshtë sekuestruar edhe arma e zjarrit e përdorur prej tij.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të konfliktit që përfundoi tragjikisht me vdekjen e dy vëllezërve dhe plagosjen e të tretit.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Tiranë

Vrau me armë zjarri, për motive të dobëta, 2 shtetas dhe plagosi 1 tjetër, kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar.

Pas njoftimit të marrë për të shtëna me armë zjarri, në rrugën “Petrela”, në Bathore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 shkuan menjëherë në vendngjarje.

Nga veprimet e para rezultoi se, gjatë një konflikti për motive të dobëta ndërmjet shtetasit N. M. dhe tre vëllezërve, S. I., N. I. dhe Sh. I., konflikti u përshkallëzua në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, shtetasi S. I., rreth 30 vjeç, humbi jetën, ndërsa shtetasit N. I., 48 vjeç, dhe Sh. I., rreth 44 vjeç, u plagosën dhe u transportuan për në spital, ku 48-vjeçari humbi jetën, ndërsa 44-vjeçari vijon të jetë në kujdesin e mjekëve.

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua autori i dyshuar i rastit, shtetasi N. M., rreth 40 vjeç, punonjës i Policisë Ushtarake.

Gjithashtu, u sekuestrua arma e zjarrit (pistoletë), e dyshuar e përdorur për krimin.

Grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave të saj.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme