“Qëndroni të fortë e besnikë ndaj misionit tuaj”, Hita falënderon efektivët: Respektoni ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari!

Aktualitet | 1 orë më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u ka drejtuar një mesazh mbështetjeje dhe mirënjohjeje punonjësve të policisë, pas angazhimit të tyre gjatë protestave të ditëve të fundit dhe incidenteve të dhunshme që kanë shoqëruar tubimet në kryeqytet.

Në një letër drejtuar efektivëve, Hita vlerëson përkushtimin e punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët prej shtatë ditësh janë përballur me situata të vështira, orë të gjata shërbimi dhe akte dhune, ku një pjesë e tyre kanë mbetur të lënduar gjatë kryerjes së detyrës.

“Prej shtatë ditësh po përballeni me situata të vështira, me orë të gjata shërbimi, tension dhe akte të rënda dhune. Shumë prej jush janë lënduar në krye të detyrës. Sot dua t’ju shpreh personalisht mirënjohjen, respektin dhe mbështetjen time të plotë”, shkruan Hita.

Drejtori i Përgjithshëm thekson se pas çdo uniforme ndodhet një njeri dhe një familje që pret kthimin e tyre në shtëpi, duke nënvizuar se çdo sulm ndaj efektivëve është i papranueshëm.

“E di se pas çdo uniforme është një njeri, një prind, një bashkëshort, një bir apo një bijë, që dikush e pret me shqetësim në shtëpi. Asnjë sulm ndaj jush nuk është i pranueshëm. Asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet”, shprehet ai.

Në mesazhin e tij, Hita u kërkon punonjësve të policisë të vijojnë detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar ligjin dhe të drejtat e qytetarëve në çdo moment.

“Ju kërkoj të vijoni detyrën me profesionalizëm, qetësi dhe vendosmëri, duke respektuar në çdo moment ligjin dhe dinjitetin e çdo qytetari”, thuhet në letër.

Njëkohësisht, kreu i Policisë së Shtetit u ka uruar shërim të shpejtë efektivëve të lënduar, duke i siguruar se institucioni do të jetë pranë tyre në përballimin e sfidave.

“U uroj shërim të shpejtë kolegëve të plagosur dhe ju siguroj se nuk do të jeni vetëm në përballimin e këtyre sfidave. Jam krenar për çdo punonjës policie që i shërben vendit me ndershmëri dhe përkushtim. Qëndroni të fortë, të bashkuar dhe besnikë ndaj misionit tuaj”, përfundon mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme