Protesta/ Banka e Shqipërisë: Kursimet e qytetarëve janë të sigurta

Aktualitet | 1 orë më parë

Banka e Shqipërisë ka reaguar pas situatave të krijuara në disa prej degëve bankare dhe bankomatëve ditët e fundit për shkak të protestave, duke siguruar qytetarët se depozitat dhe kursimet e tyre nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve.

Bankat e nivelit të dytë nuk janë kursyer nga protestuesit përgjatë 6 ditëve protesta të dhunshme, ndërsa Institucioni thekson se sistemi i pagesave vijon të funksionojë normalisht.

Në një reagim zyrtar, Banka e Shqipërisë shprehet se po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e fundit në vend, veçanërisht incidentet që kanë shkaktuar dëme materiale dhe kufizime të përkohshme të shërbimeve në disa pika bankare.

Banka thekson se siguria e qytetarëve, klientëve dhe punonjësve të institucioneve financiare mbetet përparësi, ndërsa nënvizon se shërbimi i pagesave ka vijuar pa ndërprerje.

“Banka e Shqipërisë siguron publikun se shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e rolit të sistemit bankar si domosdoshmëri e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe nevojave të konsumit të familjeve.

Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve”, thuhet në reagim.

Sipas Bankës së Shqipërisë, kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të garantuar sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Institucioni bën të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse për të monitoruar situatën dhe masat e marra për mbrojtjen e infrastrukturës bankare.

“Në ushtrim të përgjegjësive të saj ligjore, Banka e Shqipërisë është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse, duke ndjekur nga afër situatën dhe masat e ndërmarra për ruajtjen e sigurisë së punonjësve, klientëve dhe infrastrukturës bankare.

Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative të shërbimit bankar”, thekson Banka e Shqipërisë.

Institucioni i bën thirrje qytetarëve që, pavarësisht ushtrimit të së drejtës për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë institucionet bankare, ambientet, infrastrukturën dhe punonjësit e tyre.

Sipas institucionit, funksionimi normal i sistemit bankar është thelbësor për jetën e përditshme të qytetarëve, pagesën e pagave dhe pensioneve, aktivitetin e bizneseve dhe vazhdimësinë e investimeve.

“Në detyrim ndaj këtij misioni, Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre. Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve”, thuhet në reagim.

Reagimi i Bankës:

Banka e Shqipërisë po ndjek me vëmendje dhe shqetësim zhvillimet e ditëve të fundit në vend, veçanërisht incidentet ndaj disa degëve bankare dhe bankomatëve (ATM), të cilat kanë shkaktuar dëme materiale dhe kufizime të përkohshme të shërbimeve bankare. Në këto rrethana, siguria e qytetarëve, klientëve dhe punonjësve të institucioneve financiare mbetet përparësi.

Banka e Shqipërisë siguron publikun se shërbimi i pagesave ka vijuar të funksionojë normalisht dhe pa ndërprerje, duke garantuar përmbushjen e rolit të sistemit bankar si domosdoshmëri e aktivitetit ekonomik të bizneseve dhe nevojave të konsumit të familjeve.

Banka e Shqipërisë thekson se depozitat dhe kursimet e qytetarëve në sistemin bankar janë të sigurta. Dëmtimet e një pjese të infrastrukturës fizike në disa degë të bankave nuk cenojnë sigurinë e depozitave të klientëve dhe as qëndrueshmërinë financiare të bankave. Qytetarët duhet të jenë të qetë se kursimet e tyre janë të mbrojtura dhe nuk rrezikohen nga dëmtimet fizike të ambienteve.

Në ushtrim të përgjegjësive të saj ligjore, Banka e Shqipërisë është në komunikim të vazhdueshëm me bankat tregtare dhe institucionet përkatëse, duke ndjekur nga afër situatën dhe masat e ndërmarra për ruajtjen e sigurisë së punonjësve, klientëve dhe infrastrukturës bankare.

Kufizimet e përkohshme të shërbimeve në degë të caktuara lidhen me nevojën për të mbrojtur sigurinë fizike të punonjësve dhe klientëve. Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të ndjekin njoftimet zyrtare të bankave përkatëse dhe të përdorin sa më shumë kanalet alternative të shërbimit bankar.

Sistemi bankar është një shtyllë me rëndësi thelbësore për ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Pas çdo dege bankare, çdo pagese apo transaksioni qëndrojnë familje që administrojnë kursimet e tyre, qytetarë që marrin pagat dhe pensionet, biznese që paguajnë punonjësit dhe vijojnë aktivitetin e tyre, si dhe sipërmarrje që investojnë dhe krijojnë vende pune. Funksionimi normal i bankave është i lidhur drejtpërdrejt me mirëqenien e qytetarëve, vazhdimësinë e aktivitetit ekonomik dhe besimin në të ardhmen.

Banka e Shqipërisë, si institucion i pavarur në shërbim të interesit publik, përmbush funksione thelbësore për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, stabilitetit financiar dhe shërbimin e pagesave.

Në detyrim ndaj këtij misioni, Banka e Shqipërisë u bën thirrje të gjithë qytetarëve që, në ushtrimin e së drejtës së tyre për protestë paqësore, të respektojnë dhe të mbrojnë sigurinë e Bankës së Shqipërisë, të institucioneve bankare, ambienteve, infrastrukturës dhe punonjësve të tyre. Ruajtja e këtyre institucioneve do të thotë ruajtje e shërbimeve dhe e funksioneve që u përkasin dhe u shërbejnë të gjithëve.

Banka e Shqipërisë mbetet plotësisht e angazhuar në përmbushjen e mandatit të saj për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe funksionimin e sigurt e të qëndrueshëm të sistemit bankar. Ajo do të vijojë të ndjekë me përgjegjësi zhvillimet dhe të bashkëpunojë me institucionet përkatëse për të mbështetur vijimësinë e shërbimeve bankare dhe ruajtjen e besimit të publikut në sistemin financiar.

Besimi dhe siguria e qytetarëve janë themeli i një sistemi bankar të qëndrueshëm. Ruajtja e këtij besimi dhe e institucioneve që i shërbejnë publikut është në interesin e përbashkët të të gjithë shoqërisë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme