Lufta Rusi-Ukrainë: Trump pezulloi sanksionet për të mbajtur Moskën në bisedimet e paqes

Europë | 1 orë më parë

Presidenti amerikan Donald Trump u shpreh në rrjetin e tij social, Truth Social, se vendimin për pezullimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë e kishte marrë me qëllim që të mbante Moskën në tryezën e negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ai tha se ky i fundit ndoshta nuk dëshiron që lufta të përfundojë.

Vendimin për pezullimin e disa sanksioneve ndaj Rusisë, presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi si një përpjekje për të mbajtur Moskën në tryezën e bisedimeve.

“Jam në proces të negociimit të paqes në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës”, u shpreh Trump në rrjetin e tij social Truth Social, duke shtuar se nuk dëshironte të bënte asgjë që mund ta largonte Rusinë nga tryeza e negociatave.

Ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, deklaroi për NBC News se të mbaje anën e presidentit rus Vladimir Putin do të ishte një gabim historik, Trump nënvizoi se Zelensky nuk donte t’i jepte fund luftës në vendin e tij dhe ndoshta nuk ka dashur kurrë.

“Dy vite më parë mund të kishte arritur një marrëveshje më të mirë se ajo që mund të arrihet tani”, theksoi presidenti amerikan.

Këto deklarata vijnë në një kohë kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit janë tensionuar. Pasi Trump dhe Putin u dakordësuan javën e shkuar për rritjen e eksporteve të naftës ruse në tregun amerikan dhe atë botëror, Zelensky deklaroi se tashmë ishte më e vështirë të negocioje me Putinin.

Duke folur për një samit të Bashkimit Evropian, presidenti ukrainas u shpreh gjithashtu se ndihej mirë për faktin që ndodhej mes “udhëheqësve të vërtetë”.

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme