Tentoi të vidhte një bankomat gjatë protestave, ndalohet 15-vjeçari në Tiranë
Një 15-vjeçar, i dyshuar për tentativë vjedhjeje në një bankomat në rrugën “Luigj Gurakuqi” në Tiranë, është identifikuar dhe ndaluar nga policia, katër ditë pas ngjarjes.
Sipas njoftimit të Policisë, i mituri dyshohet se më 15 tetor 2026 ka thyer bankomatin me qëllim vjedhjen. Ngjarja ndodhi në një periudhë kur kryeqyteti ishte përfshirë nga protestat, të shoqëruara edhe me akte dhune dhe dëmtime të pronës publike e private, përfshirë bankomate dhe banka.
Ndalimi i 15-vjeçarit u krye nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kundër Pronës, në kuadër të veprimeve hetimore dhe operacionale për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të personave të dyshuar për veprime të kundërligjshme gjatë protestave të ditëve të fundit.
Policia bën me dije se po vijon puna për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë që dyshohet se janë përfshirë në këtë rast. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




