Rubio: Nuk e kemi pezulluar ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, hodhi poshtë pretendimet se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar ndarjen e informacioneve të inteligjencës me Ukrainën, duke kundërshtuar deklaratat e mëparshme të bëra nga Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, në një kohë kur marrëdhëniet mes dy vendeve kanë pësuar një përkeqësim të dukshëm.
“Nuk e di se ku i merr këto gjëra apo pse ia thotë këto shtypit. Duhet të ktheheni e ta pyesni atë. Nuk ka pasur asnjë pezullim. Ajo në të cilën duhet të fokusohemi është dhënia fund e kësaj mefeje. Kjo është ajo ku duhet të fokusohet ai,” deklaroi Rubio duke iu referuar Zelenskyt.
Presidenti Donald Trump i ka bërë thirrje Ukrainës të ndërpresë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, duke i bërë këto goditje përgjegjëse për çmimet e larta të naftës dizel në Shtetet e Bashkuara.
Zelensky iu referua tensioneve në rritje me Trump-in gjatë një interviste për NBC News të dielën, ku deklaroi se SHBA-ja kishte “bllokuar” përkohësisht ndarjen e informacioneve të inteligjencës me ushtrinë e tij.
Ukraina mbështetet në inteligjencën amerikane për të detektuar me shpejtësi raketat balistike ruse që lëshohen drejt qyteteve të saj.
I pyetur lidhur me pretendimet e Ukrainës se nuk ka pasur paralajmërime të hershme për sulmet e fundit ruse, Rubio tha se një “problem me softuerin” kishte ndodhur “disa net më parë” dhe se Komanda Evropiane e SHBA-së po merrej me ekzaminimin e tij.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




