Deputetja Selami: Protestuesit u dëgjuan nga qeveria. Protestat të drejta, por jo të dhunshme
Deputetja e Partisë Socialiste Alma Selami, ka deklaruar në emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1 se protestat e fundit kanë nisur për një kauzë të drejtë dhe se protestuesit u dëgjuan nga qeveria kur ato ishin paqësore.
Ajo theksoi nevojën për të ndarë qartë protestën e ligjshme dhe demokratike nga ajo e dhunshme, duke shprehur shqetësim të veçantë si nënë dhe ish-mësuese.
Deputetja Selami tha se e ka parë situatën e ditëve të fundit “me shumë shqetësim”, jo vetëm si politikanë me mandatin e parë në Kuvend, por sidomos si nënë.
“Protesta ngjall pasiguri tek të gjithë. Atëherë cila është detyra e atyre që janë më të rritur, më të maturuar edhe për më tepër atyre që kanë detyrimet ligjore profesionale që të ndikojnë në këtë paqtim të situatës”, u shpreh ajo.
Sipas saj, protestat janë instrumenti më i lartë demokratik dhe një e drejtë që duhet ushtruar.
“Këtë kam shpjeguar vajzës time më të vogël. Është një e drejtë që demokracitë e shfrytëzojnë dhe publiku e shfrytëzon në demokraci, por duhet të ndahet mirë protesta, të bëhet e qartë ndarja mes një proteste paqësore… dhe asaj që është e dhunshme që prish atë që së pari është qetësia e të gjithëve ne”, u shpreh ajo.
Deputetja vlerësoi se në fillimet e tyre protestat ishin paqësore dhe u përqafuan nga qytetarët.
“Pa diskutim që në krye të herës protestat kur nisën edhe nisën për një kauzë shumë të drejtë që të gjithë qytetarët e përqafuan atë dhe qenë shumë paqësore, dëgjuan dhe patën vëmendjen e qeverisë”, ka deklaruar deputetja.
Ajo u shpreh se autoritetet përgjegjëse duhet të dëgjojnë me përulësi kërkesat e qytetarëve, duke e krahasuar me rolin e prindit që duhet t’i kushtojë vëmendje fëmijës.
Lidhur me situatën në Peshkopi, ku ajo jeton, Selami tha se qyteti ka qenë përgjithësisht i qetë, me disa episode të izoluara. Ajo shprehu keqardhje të thellë për përfshirjen e të miturve dhe fëmijëve në protesta.
“Si mësuese me 20 vite eksperiencë… ndjej keqardhje të madhe për përdorimin e të miturve dhe fëmijëve në ato protesta”, deklaroi Selami.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




