Protestat, Rama porosi drejtorëve të gjimnazeve: Mbani ditarë të detajuar për ngjarjet, të reflektojmë për programet shkollore
Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar drejtuesve të gjimnazeve në Tiranë të dokumentojnë në mënyrë të detajuar ngjarjet e ditëve të fundit të protestave, me qëllim analizimin e situatës dhe identifikimin e ndërhyrjeve të nevojshme në aspektin e sigurisë dhe edukimit të të rinjve.
Gjatë një takimi me drejtuesit e shkollave të mesme, ku ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, Rama tha se këto shënime do të shërbejnë si bazë për reflektim pasi situata të qetësohet, si dhe për të shqyrtuar mundësinë e përditësimit të programeve shkollore, veçanërisht në drejtim të ndërveprimit social.
Sipas Ramës, dokumentimi i ngjarjeve do të ndihmojë në krijimin e një panorame të plotë të asaj që ka ndodhur, për të kuptuar më pas se ku duhet të ndërhyhet, si në aspektin e sigurisë, ashtu edhe në raport me të rinjtë që mund të jenë përfshirë në veprime të dhunshme.
“Kemi dakordësuar me ministren dhe disa këshilltarë edhe idenë që secili prej jush të shkruaj ditarin e këtyre ditëve në mënyrë sa më të detajuar, me një narrativë shumë të thjeshtë, çfarë ndodhi dhe si ndodhi. Për të patur mozaikun e një historie që do na vlejë për ta rilexuar dhe reflektuat sapo gjërat të qetësohen he të kuptojmë si dhe ku duhet ët ndërhyjmë qoftë në aspektin e sigurisë qoftë në aspektin e atyre individë të tërhequr nga kjo flamë dhe për të riapdetuar programin e shkollave në raport me ndërveprimin social”, tha Rama.
Kreu i qeverisë ngriti gjithashtu shqetësimin për mënyrën se si teknologjia dhe hapësirat virtuale po ndikojnë në marrëdhëniet mes të rinjve, duke argumentuar se komunikimi në mjediset digjitale mund të dobësojë empatinë dhe aftësinë për të krijuar marrëdhënie të drejtpërdrejta njerëzore.
“Të rinjtë, fëmijët po humbin sensin e sociales dhe socializmi i tyre po ndodh në një hapësirë artificiale ku ata komunikojnë në një formë krejt tjetër, e cila nuk e përfshinë atë që është themeli i marrëdhënies njerëzore që është empatia dhe zëvendësimi i saj me diçka tjetër të frikshëm deri në pikën ku fëmija i vogël shfaqet si një vandal që djeg dhe shkatërron sëbashku me një grup të tjerësh”, u shpreh ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



