Pedagogët i bashkohen protestës së studentëve para Kryeministrisë, Kovaçi: Duhet llogaridhënie, politika të ndërtojë një Shqipëri evropiane
Protestës së studentëve, e cila ka hyrë në ditën e tetë, i janë bashkuar edhe pedagogët dhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë.
Pedagogët dhe studentët janë mbledhur para Kryeministrisë, ku kanë refuzuar thirrjen e kryeministrit Edi Rama për dialog. Ata kanë larguar nga sheshi edhe karriget e vendosura nga kreu i qeverisë, të cilat simbolizonin uljen në tryezë dhe gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut.
Gjatë protestës, pedagogu Sandër Kovaçi, kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), kritikoi qeverisjen dhe mungesën e llogaridhënies, duke theksuar se vendi ka humbur shumë kohë dhe kërkoi që politika të gjejë zgjidhjen për krijimin e një Shqipërie evropiane.
“Njerëzit i kanë lënë kryeministrit 13 vite kohë për të ndryshuar gjendjen, por ajo ka shkuar gjithmonë e më keq. Të mos dëgjosh popullin tënd është problem. Kjo ndodh sepse në Shqipëri nuk ka votë të lirë nga populli, por votë të manipuluar, përmes shantazhimit të administratës. Për sa kohë që vota nuk është e lirë, nuk ka llogaridhënie. Drejtuesit e universiteteve dhe pedagogët duhet të jenë në krah të studentëve. Jemi në një situatë absurde dhe kjo duhet të zgjidhet. Politika duhet të gjejë një zgjidhje dhe të ndërtojë një Shqipëri evropiane, ndryshe nga ajo që kemi sot. Kemi 36 vite që humbim kohë kot”, u shpreh ai.
Pedagogët u mblodhën në sheshin para Universitetit Politeknik të Tiranës, në shenjë solidariteti me studentët protestues.
Gazetarja Elda Lamja raportoi se punonjësit dhe pedagogët e universiteteve në të gjithë vendin kanë bërë thirrje për t’iu bashkuar protestës, duke theksuar se qëndrojnë në mbështetje të studentëve që prej ditës së parë të tubimit.
Përmes një slogani të tyrin, “Stop dhunës ndaj studentëve”, pedagogët kanë shprehur solidaritetin me të rinjtë.
“Jemi kundër dhunës së policisë dhe në solidaritet të plotë me studentët. Sot jemi në një situatë që duhet zgjidhje, dhe kjo zgjidhje duhet të vijë nga politika”, u shprehën pedagogët.
Vendosja e karrigeve para Kryeministrisë nga kreu i qeverisë, Edi Rama, me thirrjen për dialog drejtuar studentëve, nuk është pranuar nga protestuesit. Këta të fundit janë ngritur në protestë, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Protestuesit kanë thyer karriget e vendosura para godinës së Kryeministrisë, duke deklaruar se nuk pranojnë dialogun e propozuar.
Në një reagim ndaj studentëve, drejtoresha e Agjencisë për Media dhe Informim, Manjola Hasa, u shpreh se kryeministri Edi Rama është i gatshëm të zhvillojë dialog pa kushte me ta.
“Jam këtu nëse doni të dialogoni me kryeministrin. Nuk jam këtu për të bërë asnjë deklaratë politike. Nuk jam këtu të flas as për reagimet e studentëve dhe as për reagimet e çdo qytetari që ka të drejtë të protestojë. Unë jam këtu nisur nga ftesa e haour për dialog e kryeministrit, realisht kush është i interesuar të bëjë dialog, të vijë me mua te kryeministri. Nëse mes tyre ka studentë, të rinj, qytetarë që janë të interesuar të dialogojnë, unë jam këtu për t’i përcjellë këto kërkesa. Nëse keni shqetësime, hajde shkojmë bashkë te kryeministri. Kryeministri i ka dyert e hapura”, deklaroi Hasa.
Protestës së studentëve i është bashkuar edhe një grup pedagogësh, në shenjë mbështetjeje për të rinjtë dhe kërkesat e tyre
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




