Mbledhja e grupit të PS, Balla: Të hapur për dialog, studentët të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Vijojmë punë e Kuvendit menjëherë

Politikë | 1 orë më parë

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, u ka bërë thirrje studentëve të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të ulen në tryezën e dialogut me qeverinë. Në një komunikim për mediat pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, Balla paralajmëroi gjithashtu rifillimin e menjëhershëm të punës së Kuvendit, duke theksuar se vonesat ndikojnë në agjendën parlamentare dhe procesin e negociatave.

“Në mbledhjen e grupit të PS kemi diskutuar, apo ka patur një mesazh prej kryeministrit për sfidat apo agjendën tonë parlamentare. Vijojmë punë e Kuvendit në mënyrë të menjëhershme. Agjenda që lidhet me negociata dhe roli e Kuvendit si ligjvënës përgjatë këtij procesi është shumë intensive. Një javë e humbur nga java e kaluar na kushton shumë me kalendarin që kemi. Thirrja ime për të gjithë është për dialog. Janë vendosur karriget, gjithçka është gati. Studentët duhet të zgjedhin përfaqësuesit e tyre. Kryeministri bashkë me ministra të tjerë janë po aty, duhet të ulemi. Grupi Parlamentar i PS dënon dhunën”, tha Balla.

Balla u shpreh se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe propozoi një “Pakt 2.0 për universitetin”, me fokus përmirësimin e kushteve në konvikte dhe adresimin e problematikave të arsimit të lartë.

“Studentët e meritojnë të dëgjohen. Koha për të pasur paktin 2.0 për universitetin është tani. Kush ka kërkesa që lidhen me gjithçka që kërkojnë studentët, për kushte më të mira në konvikte, ditën e enjte votojmë në Kuvend një marrëveshje me republikën federale gjermane për të investuar më shumë në konvikte. Mos harrojmë që gjithë këto dëme që janë bërë në bulevard apo biznese shkojnë përtej një investimi që do të duhej për të bërë korpusin e ri të universitetit”, u shpreh ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme