Pas monitorimit të protestës, Avokati i Popullit raporton 11 ankesa dhe kërkon masa nga institucionet

Institucioni i Avokatit të Popullit, përmes Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), ka publikuar gjetjet paraprake nga monitorimi i protestës së 19 tetorit në Tiranë dhe trajtimi i personave të shoqëruar, arrestuar apo të lënduar.
Në një konferencë për shtyp, komisioneri Ahmet Prençi deklaroi se gjatë 24 orëve të fundit janë administruar 11 ankesa për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut, ndërsa janë konstatuar problematika që lidhen me trajtimin e të miturve, përdorimin e forcës, kushtet në Bllokun e Sigurisë dhe procedurat e ndjekura nga policia.
Prençi bëri të ditur se ekipet e Avokatit të Popullit kanë inspektuar Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4, 5 dhe 6, Bllokun e Sigurisë si dhe Spitalin Universitar të Traumës.
“Sot, si komisioner i Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës, që është njësi e Avokatit të Popullit, ju informoj mbi gjetjet nga monitorimi i 24 orëve të fundit në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut gjatë protestës dhe me trajtimin e personave të shoqëruar dhe të lënduar. Këto janë gjetje paraprake. Hetimi i thelluar vazhdon dhe do t’ju njoftojmë brenda afateve ligjore”, deklaroi Prençi.
Sipas të dhënave të bëra publike, gjatë protestës së 19 tetorit policia ka shoqëruar 50 persona, prej tyre 18 të mitur.
Ai deklaroi se, “nga verifikimet e kryera rezulton se: Në Komisariatin nr. 1 janë shoqëruar 21 persona, mes tyre 8 të mitur; Në Komisariatin nr. 2 janë shoqëruar 19 persona, mes tyre 7 të mitur dhe 2 gra; Në Komisariatin nr. 4 janë shoqëruar 10 persona, mes tyre 3 të mitur; Në Bllokun e Sigurisë ndodheshin 109 persona të arrestuar, mes tyre 1 i mitur dhe 4 gra; Në Spitalin e Traumës kanë marrë trajtim mjekësor 34 persona, përfshirë 21 efektivë policie, 7 protestues dhe 5 kalimtarë. 193 persona të intervistuar, 11 ankesa të administruara”-
Komisioneri bëri të ditur se ekipet monitoruese kanë marrë kontakt me një numër të konsiderueshëm personash gjatë inspektimeve.
“Gjatë ditës së djeshme kemi marrë kontakt me 193 persona të ndaluar, të arrestuar dhe në spital, prej të cilëve 6 gra dhe 19 të mitur. Gjithsej kemi administruar 11 ankesa, nga të cilat 10 në Bllokun e Sigurisë dhe njëra për një të mitur në Komisariatin nr. 1. Kemi marrë gjithashtu telefonata në numrin zyrtar dhe disa raste na janë referuar përmes rrjeteve sociale. Nga administrimi i këtyre materialeve kemi nisur hetimin administrativ për rastet ku dyshohet për shkelje të të drejtave të njeriut”, deklaroi ai.
Sipas Avokatit të Popullit, pesë nga tetë të miturit e ndaluar në Komisariatin nr. 1 kanë pretenduar se janë dhunuar fizikisht dhe verbalisht nga punonjës të Policisë së Shtetit.
“Në Komisariatin nr. 1, pesë nga tetë të miturit e ndaluar pretenduan dhunë fizike dhe verbale nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Në dy prej tyre u konstatuan shenja të dëmtimit fizik. Në Bllokun e Sigurisë kemi marrë një ankesë për dhunë ndaj një të mituri”, tha Prençi.
Ai theksoi se sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventës për të Drejtat e Fëmijës, çdo formë dhune ndaj të miturve përbën shkelje të rëndë të standardeve ndërkombëtare.
“Dhuna ndaj një të mituri në shoqërim është shkelje absolute dhe personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi për çdo rast.”
Raporti evidenton gjithashtu mangësi në zbatimin e garancive procedurale për të miturit.
“Në Komisariatin nr. 1, të miturve nuk u ishte dhënë formulari i të drejtave. Pas ndërhyrjes sonë, u dha formulari për të rriturit, por edhe ai ishte i papërditësuar. Gjashtë të mitur u regjistruan në regjistrin e të rriturve. Në Komisariatin nr. 4, regjistri i të miturve ishte plotësuar pjesërisht”, u shpreh Prençi.
Sipas tij, mosrespektimi i këtyre procedurave i privon të miturit nga mbrojtja që u garanton ligji.
“Të shoqëruarit pretenduan për dhunë gjatë momentit të ndalimit, duke përfshirë përdorimin e sprait me piper dhe të gazit lotsjellës, goditje me bombol gazi lotsjellës, tërheqje zvarrë, si dhe dhunë fizike dhe psikologjike nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Një ankues pretendoi se u godit në një zyrë të Komisariatit nr. 4, ku nuk ka kamera sigurie”, tha komisioneri.
Një pjesë e ankesave kanë të bëjnë edhe me kontrollin e telefonave celularë të personave të shoqëruar.
“Disa të mitur dhe të rritur raportuan se u është kërkuar të zhbllokojnë telefonat celularë dhe të lejojnë kontrollin e të dhënave personale, pa vendim gjykate, madje edhe kur nuk kishte akuzë të ngritur nga prokuroria.”
Prençi theksoi se çdo ndërhyrje në të dhënat personale duhet të mbështetet në bazë ligjore dhe autorizim nga organet kompetente.
Sipas raportit, disa qytetarë kanë deklaruar se janë shoqëruar pa pasur lidhje me protestën.
“Disa ankues deklarojnë se u shoqëruan në komisariat pa pasur një shkak të ligjshëm, pasi ishin kalimtarë të rastit dhe pa lidhje me protestën.”
Avokati i Popullit evidentoi gjithashtu mungesë të elementëve identifikues te disa efektivë policie.
“Në Komisariatet nr. 2 dhe nr. 4 u evidentuan punonjës policie pa numra identifikues, si dhe mangësi të të dhënave në regjistrat e shoqërimit.”
Sipas Prençit, identifikimi i efektivëve është kusht i domosdoshëm për garantimin e përgjegjshmërisë individuale në rast të pretendimeve për abuzim.
Një tjetër problematikë e ngritur lidhet me mbipopullimin e Bllokut të Sigurisë.
“Në Bllokun e Sigurisë ndodhen rreth 109 persona të arrestuar. Mbingarkesa e ambienteve është e lidhur drejtpërdrejt me mungesën e shtretërve, ujit, ngrohjes dhe kujdesit mjekësor.”
Komisioneri paralajmëroi se këto kushte rrezikojnë respektimin e të drejtave themelore të personave të privuar nga liria.
Në përfundim të raportit paraprak, Avokati i Popullit kërkoi ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.
“Nisur nga ato që kemi konstatuar deri në këtë fazë, kërkojmë identifikim të detyrueshëm për çdo punonjës policie në detyrë, me numër identifikues të dukshëm; ndërhyrje urgjente për mbingarkesën në Bllokun e Sigurisë; kamera në çdo ambient shoqërimi dhe intervistimi; ndalimin e kontrollit të telefonave pa urdhër gjyqësor; garantimin e pranisë së prindit, kujdestarit dhe psikologut për çdo intervistë me të mitur; trajnime të vazhdueshme mbi përdorimin proporcional të forcës; plotësimin korrekt të regjistrave të shoqërimit dhe praninë e mjekut në çdo kohë në ambientet e ndalimit.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




