Përfundon gjyqi në Bruksel për trafikun e 45 tonëve kokainë, në bankën e të akuzuarve “Prerësi i gishtave” dhe “Eskobari brazilian”

Botë | 51 minuta më parë

Një gjyq i madh në Bruksel po nxjerr në pah lidhjet e dyshuara mes një organizate kriminale belge dhe një grupi trafikantësh brazilianë. Në qendër të çështjes janë Flor Bressers, i njohur si “Prerësi i gishtave”, dhe Sérgio Roberto de Carvalho, i quajtur “Eskobari brazilian”, të cilët akuzohen për drejtimin e një rrjeti ndërkombëtar që dyshohet se ka transportuar deri në 45 tonë kokainë drejt Evropës.

Sipas prokurorisë, organizata kishte krijuar një strukturë ndërkombëtare që lëvizte qindra miliona dollarë përmes kompanive të përdorura si mbulesë për aktivitetin kriminal. Paratë dyshohet se pastroheshin përmes kriptomonedhave, tregjeve financiare dhe pasurive të paluajtshme, ndërsa rrjeti siguronte transportin e kokainës nga Peruja dhe Bolivia, përmes Brazilit, drejt porteve evropiane.

Rasti Bressers-Carvalho është kthyer në një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore kundër trafikut ndërkombëtar të drogës në Belgjikë. Në sallën e gjyqit, ku siguria ishte e jashtëzakonshme, përballë drejtësisë dolën 31 të pandehur, të shoqëruar nga efektivë të armatosur dhe me fytyra të mbuluara, për të shmangur hakmarrjet e mundshme.

Flor Bressers, ish-studenti i kriminologjisë që u kthye në një figurë të botës së krimit
Flor Bressers, 40 vjeç, është belg dhe ka studiuar kriminologji në Universitetin e Lirë të Brukselit. Për shkak të formimit të tij akademik, disa e njihnin si “profesori” ose “akademiku”, por nofka që e shoqëron më shumë është “Prerësi i gishtave”.

Ai u arrestua në vitin 2022, teksa ndodhej në një degustim vere me bashkëshorten në një apartament luksoz të hotelit Renaissance Zurich Tower, në Zvicër. Prej kohësh ishte në listën e personave më të kërkuar nga Europol-i, ndërsa përballej me akuza për rrëmbim, heqje të paligjshme të lirisë, zhvatje me armë zjarri dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale.

Nofka e tij lidhet me një çështje të vitit 2010, kur dyshohej se kishte urdhëruar prerjen e gishtit të një personi me gërshërë krasitjeje, në kuadër të një akti hakmarrjeje. Megjithatë, për këtë çështje ai u shpall i pafajshëm në vitin 2015, për mungesë provash.

Në vitin 2020, Bressers u dënua në lidhje me një tjetër rast hakmarrjeje, që përfshinte rrëmbimin e një trafikanti holandez droge. Viktima ishte dhunuar, kërcënuar me vdekje dhe prerë me brisk, pasi dyshohej se ishte përgjegjës për zhdukjen e një ngarkese kokaine. Pas kësaj, Bressers u arratis dhe qëndroi në kërkim për dy vjet.

Emri i tij është përmendur gjithashtu në një çështje tjetër të dhunshme në Guajanë, që lidhej me vdekjen e një tregtari orizi, ngarkesa e sekuestruar e të cilit përmbante kokainë. Dyshimet ishin se vdekja mund të ishte përdorur për të penguar zbulimin dhe shkatërrimin e rrjetit kriminal. Edhe kjo çështje nuk përfundoi në gjyq.

Në të majtë, Sérgio Roberto de Carvalho, i njohur si "Escobari brazilian", dhe belgu Flor Bressers, i mbiquajtur "Prerësi i gishtave". FOTO: AFP/Europol
Në të majtë, Sérgio Roberto de Carvalho, i njohur si “Escobari brazilian”, dhe belgu Flor Bressers, i mbiquajtur “Prerësi i gishtave”. FOTO: AFP/Europol

“Eskobari brazilian”, ish-oficeri i policisë që u përfshi në trafikun e kokainës

Figura tjetër kryesore e procesit është Sérgio Roberto de Carvalho, 68 vjeç, brazilian i njohur në Evropë si “Eskobari brazilian”. Në vendin e tij ai njihej me nofkën “Major”, që lidhej me gradën që kishte mbajtur kur shërbente si oficer i policisë ushtarake.

Carvalho u arrestua më 21 qershor 2022 në një hotel luksoz me pamje nga Danubi, në Budapest, gjatë një operacioni të përbashkët të Interpolit, Europolit, Policisë Federale të Brazilit dhe Agjencisë Amerikane Kundër Drogës (DEA).

Sipas dokumenteve gjyqësore braziliane, ai drejtonte një grup që siguronte sasi të mëdha kokaine të prodhuar në Peru dhe Bolivi, të cilat transportoheshin përmes pjesës qendrore-perëndimore të Brazilit drejt porteve të Paranaguás dhe Natalit. Prej andej, droga nisej me anije drejt Evropës.

I lindur në vitin 1958 në Ibiporã, në shtetin brazilian të Paraná-s, Carvalho u rrit në Mato Grosso do Sul, një zonë pranë kufijve me Paraguain dhe Argjentinën, ku aktiviteti i krimit të organizuar është veçanërisht i pranishëm.

Ai u përfshi në veprimtari kriminale ndërsa shërbente në polici. Në vitin 1998 u dënua me 15 vjet burg për trafik droge, por u përjashtua nga policia vetëm në vitin 2010.

Më pas u zhvendos në Evropë, duke u fshehur fillimisht në Portugali dhe më pas në Spanjë. Sipas policisë spanjolle, ai u vendos në një vilë me vlerë rreth 2 milionë euro në Marbella, në Costa del Sol, ku përdorte identitetin e rremë Paul Wouter, duke u paraqitur si një shtetas i pasur nga Surinami.

Prokurorët pretendojnë se, nga kjo bazë, ai koordinoi gjatë periudhës 2017-2020 një rrjet kriminal që shtrihej në Portugali dhe Spanjë dhe përdorte porte si Setúbal, Leixões, Roterdami dhe Antverpeni, si dhe aeroportin e Lisbonës, për të trafikuar drogë.

Policia portugeze dyshonte gjithashtu se Carvalho kishte lidhje me Primeiro Comando da Capital (PCC), organizatën më të madhe kriminale të Brazilit.

Operacion ndërkombëtar dhe qindra miliona euro të dyshuara nga trafiku
Rrjeti kriminal dyshohet se përdorte kompani të ligjshme për të fshehur aktivitetin e tij. Një prej tyre ishte Kriva Rochem, një kompani e trajtimit të ujit me seli në Antverpen, emri i së cilës është përdorur edhe për të identifikuar çështjen gjyqësore.

Sipas autoriteteve, fitimet nga trafiku i drogës kalonin përmes skemave të ndërlikuara financiare dhe investimeve në prona. Logjistika përfshinte transportimin e kokainës nga Amerika Latine, kalimin e Atlantikut dhe shpërndarjen e saj në disa vende evropiane dhe më gjerë.

Në nëntor të vitit 2020, një operacion i koordinuar në disa vende përfshiu më shumë se 1.000 efektivë policie nga Portugalia, Spanja, Belgjika, Holanda, Rumania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, në bashkëpunim me Europolin.

Operacioni çoi në 45 arrestime dhe sekuestrimin e më shumë se 13 milionë eurove cash, 70 automjeteve luksoze, 37 avionëve dhe 136 pronave të paluajtshme.

Të dy të pandehurit mohojnë akuzat

Gjatë procesit gjyqësor në Bruksel, Bressers mohoi akuzat dhe pretendoi se ishte viktimë e një fushate mediatike kundër tij.

“Kam ndjesinë e fortë se e gjithë kjo është orkestruar nga autoritetet”, u shpreh ai në gjykatë.

Edhe Carvalho mohoi përfshirjen në veprimtarinë kriminale dhe pretendoi se po persekutohej nga autoritetet federale braziliane. Për shkak të problemeve shëndetësore, ai nuk mori pjesë në të gjitha seancat.

“Kam pesë vjet në burg dhe askush nuk më dëgjon”, deklaroi ai gjatë seancës, duke shtuar: “Ishte një person me të njëjtin emër që i kreu këto krime, jo unë”.

Avokatët e tij, Frédéric Thiebaut dhe Renaat Landuyt, u kontaktuan për një koment, por nuk u përgjigjën. Edhe prokurori federal belg që trajton çështjen refuzoi të komentonte.

Seancat gjyqësore përfunduan më 9 tetor, ndërsa vendimi pritet të shpallet më 15 dhjetor. Bressers rrezikon deri në 20 vjet burg, kurse Carvalho deri në 15 vjet.

Rrjetet latino-amerikane të drogës po shtrihen në Evropë

Rasti Bressers-Carvalho është pjesë e një fenomeni më të gjerë që ka tërhequr vëmendjen e policive dhe agjencive të inteligjencës gjatë dekadës së fundit.

Sipas të dhënave të përmendura në hetime, struktura të lidhura me grupet latino-amerikane të trafikut të drogës janë identifikuar në Portugali, Spanjë, Francë, Belgjikë, Holandë, Gjermani, Itali, vendet nordike, Evropën Lindore, Ballkan dhe Afrikën e Veriut.

Këto grupe nuk merren vetëm me transportimin e drogës, por ofrojnë edhe shërbime të specializuara për përpunimin dhe futjen e kokainës në tregjet evropiane.

Andy Kraag, drejtues i qendrës së Europolit për krimin e rëndë dhe të organizuar, ka shpjeguar se ndërmjetësit dhe anëtarët e karteleve ofrojnë shërbime që lidhen me prodhimin dhe përpunimin e kokainës në Evropë, përfshirë nxjerrjen e saj nga materiale të ndryshme transportuese dhe përpunimin e pastës së kokës së kokainës.

Hetimet tregojnë se bashkëpunimi mes organizatave kriminale evropiane dhe grupeve të Amerikës Latine po krijon rrjete gjithnjë e më komplekse, duke e bërë luftën kundër trafikut ndërkombëtar të drogës një sfidë për autoritetet e shumë vendeve./The Guardian/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme