Protestat, Ipeshkvi i Lezhës thirrje për dialog: Shqipëri, të ndalemi përpara se të jetë tepër vonë

Aktualitet | 28 minuta më parë

Ipeshkëvi i Dioqezes se Lezhës, Imzot Ottavio Vitale, ka bërë thirrje për pajtim, dialog dhe shpresë, në një kohë kur Shqipëria po përballet me tensione, protesta dhe episode dhune.

Përmes një mesazhi të publikuar, ai thekson se shqetësimet e qytetarëve dhe të rinjve duhet të dëgjohen me seriozitet dhe të marrin përgjigje konkrete.Imzot Vitale nënvizon se protesta paqësore është pjesë thelbësore e demokracisë, ndërsa dhuna rrezikon të dëmtojë bashkëjetesën qytetare dhe të largojë mundësinë e zgjidhjeve të përbashkëta.

Një vëmendje të veçantë ai i kushton mbrojtjes së shkollave dhe strukturave edukative, duke i cilësuar ato si hapësira ku ndërtohet e ardhmja e brezave të rinj. Kreu i Kishës Katolike në Lezhë thekson se pajtimi nuk nënkupton harrimin e padrejtësive, por kërkon të vërtetën, drejtësinë, përgjegjësinë dhe respektimin e dinjitetit njerëzor. Ai u drejtohet veçanërisht të rinjve shqiptarë, duke i nxitur të mos lejojnë që zhgënjimi të shndërrohet në urrejtje dhe të kërkojnë ndryshime përmes dialogut dhe angazhimit qytetar. Në përfundim, duke kujtuar mesazhin e Papa Françeskut gjatë vizitës në Tiranë në vitin 2014, Imzot Vitale i fton shqiptarët të mos harrojnë rrënjët e tyre, por të zgjedhin rrugën e paqes, vëllazërisë dhe shpresës për të ardhmen e vendit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme