Norvegjia pret takimin SHBA-Ukrainë, Zelensky takon në Oslo të dërguarit e presidentit Trump
Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, tha se Oslo po pret bisedimet e radhës mes Zelensky-t dhe të dërguarve të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ku ky i fundit do të marrë pjesë online.
Sipas tij, presidenti i Finlandës Alexander Stubb do të jetë pjesë e takimit, ndërsa vendet perëndimore vijojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës.
“Ukraina ka kërkuar që të dërguarit specialë të SHBA-së, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, t’u bashkohen takimeve. Jam i kënaqur që ata do të marrin pjesë”- tha presidenti i Norvegjisë.
“Takime të tilla janë zhvilluar më parë në disa vende dhe Norvegjia e Finlanda janë të lumtura që mund ta vazhdojnë këtë ndërmjetësim”- shtoi Store.
Sipas faqes së lajmeve Axios, Witkoff pas takimit me Zelenskin pritet të vizitojë Moskën për bisedime me liderët rusë. Përpara takimit, lideri ukrainas bëri të ditur se zhvilloi bisedime substanciale dhe konstruktive me Sekretarin amerikan të Shtetit Marco Rubio, ku ai këmbënguli tek shërbimet e sistemit satelitor ushtarak amerikan që përdor Ukraina, Starshield dhe sistemet antiraketore si shumë të domosdoshme për të mbrojtur jetët e civilëve. Të hënën Zelensky u tha senatorëve amerikanë se Pentagoni po vonon dorëzimin e sistemit Patriot të financuara tashmë nga vendet evropiane dhe se dërgesa po priste nënshkrimin e Sekretarit të Mbrojtjes Pete Hegseth.
“Ne duam të vazhdojmë të kemi marrëdhënie të hapura, të ndershme dhe pragmatike me SHBA-në,”- deklaroi Zelensky për gazetën italiane Corriere della Sera.
Ndërkohë nga Uzbekistani, Sekretari Rubio mohoi deklartatat e Kievit se Shtetet e Bashkuara kanë ndryshuar politikën për ndarjen e informacionit të inteligjencës me Ukrainën, duke mbështetur thirrjen e Trump që Zelensky të përqendrohej në përfundimin e konfliktit.
Autoritetet në Kiev njoftuan të martën se sulmet ruse vranë katër persona në të gjithë vendin, ndërsa Moska vijon të godasë infrastrukturën energjetike dhe të transportit me afrimin e dimrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




