DASH për Kosovën: Përparim kundër trafikimit, sfidat mbeten

Kosova mbetet në Nivelin 2 në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për trafikimin me qenie njerëzore, pavarësisht rritjes së financimit për ndihmën ndaj viktimave dhe shtimit të dënimeve ndaj trafikantëve. Raporti për vitin 2025 evidenton mangësi në zbatimin e ligjit, identifikimin e fëmijëve të detyruar të lypin dhe ofrimin e shërbimeve afatgjata për viktimat.
Sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, ndonëse ka bërë përpjekje të konsiderueshme për përmirësimin e situatës. Si zhvillime pozitive përmenden rritja e numrit të trafikantëve të dënuar, shtimi i financimit për ndihmën ndaj viktimave dhe rritja e mjeteve për aktivitetet parandaluese. Megjithatë, këto përpjekje nuk janë shoqëruar me rezultate të mjaftueshme në të gjitha fushat.
Gjatë vitit 2025, Policia e Kosovës hetoi katër raste të trafikimit me qenie njerëzore, krahasuar me pesë raste në vitin 2024. Autoritetet ngritën aktakuza ndaj 34 personave të dyshuar, nga 49 sa ishin një vit më parë. Gjykatat dënuan tre persona për trafikim me qëllim të shfrytëzimit seksual, krahasuar me një të dënuar në vitin 2024. Megjithatë, vetëm dy prej tyre morën dënime me burgim efektiv, përkatësisht pesë vjet e gjashtë muaj burgim dhe gjobë prej 3 mijë eurosh, si dhe tre vjet burgim. Personi i tretë u dënua me një vit provë.
DASH paralajmëron se dënimet nën minimumin e paraparë me ligj dobësojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe mund të rrezikojnë sigurinë e viktimave. Raporti vë në pah edhe mungesën e trajnimit dhe përvojës së mjaftueshme te disa prokurorë e gjyqtarë për trajtimin e rasteve që përfshijnë shtrëngim psikologjik dhe kontroll emocional të viktimave. Një tjetër shqetësim është identifikimi i fëmijëve të detyruar të lypin. Sipas raportit, disa raste vazhdojnë të trajtohen si neglizhencë ose abuzim prindëror, në vend se si trafikim me qenie njerëzore. Kjo mund të bëjë që fëmijët të mos identifikohen si viktima dhe të ndëshkohen për veprime të kryera si pasojë e drejtpërdrejtë e shfrytëzimit.
Gjatë vitit 2025, institucionet identifikuan 13 viktima të trafikimit, nga 14 sa ishin në vitin paraprak. Të gjitha viktimat e identifikuara ishin shfrytëzuar seksualisht: dy ishin gra dhe 11 vajza. Asnjëra nuk ishte shtetase e huaj. Raporti vlerëson se institucionet, në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, kanë ofruar strehim, kujdes shëndetësor, këshillim, shërbime juridike dhe ndihmë për riatdhesim. Sipas të dhënave të raportit, 18 viktima morën ndihmë përmes këtij bashkëpunimi, ndërsa institucionet e specializuara të strehimit asistuan 10 viktima.
Megjithatë, mbështetja afatgjatë dhe riintegrimi mbeten sfida. Raporti thekson se programet e riintegrimit kanë pasur sukses të kufizuar për shkak të mungesës së burimeve dhe mundësive të punësimit, të cilat do t’u mundësonin viktimave të arrinin pavarësi financiare. Edhe Qendrat për Punë Sociale përballen me mungesë të stafit dhe kapaciteteve për t’i përmbushur të gjitha përgjegjësitë ndaj fëmijëve viktima. Vështirësi janë evidentuar edhe në trajtimin e viktimave të ritrafikuara dhe të personave që kanë nevojë për mbështetje të vazhdueshme psikosociale dhe shërbime të specializuara.
Në fushën e parandalimit, Qeveria e Kosovës ndau 15 mijë euro gjatë vitit 2025, krahasuar me 3 mijë e 550 euro në vitin 2024. Institucionet zhvilluan aktivitete ndërgjegjësuese, mbajtën në funksion linjën telefonike kundër trafikimit dhe vazhduan inspektimet në vendet e punës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




