Parlamenti i Libisë miratoi memorandumin turko-libian

Botë | 1 orë më parë

Parlamenti libian ka miratuar këtë të martë (20 tetor) memorandumin për përcaktimin e zonave detare me Turqinë, duke përmbysur vendimin e vitit 2020 për bojkotimin e marrëveshjes. Lajmi është raportuar nga Reuters dhe vjen në një kohë kur në institucionet libiane janë shënuar ndryshime në drejtimin e parlamentit. Marrëveshja u nënshkrua në nëntor të vitit 2019 mes Ankarasë dhe Qeverisë së atëhershme të Pajtimit Kombëtar (GNA), me seli në Tripoli, dhe përcaktonte kufijtë e zonave detare mes dy vendeve.

Megjithatë, parlamenti libian me seli në pjesën lindore të vendit nuk e kishte ratifikuar marrëveshjen. Në vitin 2020, ai e kishte cilësuar memorandumin si “të pavlefshëm” dhe kishte vendosur ta bojkotonte atë. Miratimi i marrëveshjes, gjashtë vjet pas nënshkrimit të saj, vjen pas ndryshimeve në drejtimin e parlamentit libian. Sipas raportimeve, kryetari i mëparshëm, Aguila Saleh, i cili e drejtoi institucionin për 12 vjet dhe konsiderohej bashkëpunëtor i afërt i feldmarshallit Khalifa Haftar, u zëvendësua nga deputeti i Tobrukut, Ash Saleen Abdelnabi al-Obaidi.

Ndryshimi u njoftua më 7 tetor përmes platformës X nga një përfaqësues i Dhomës së Përfaqësuesve. Zhvillimi i ri në drejtimin e parlamentit përkon me miratimin e memorandumit turko-libian, i cili më parë ishte kundërshtuar nga ky institucion. Ndërkohë, kreu i shërbimit turk të inteligjencës, Ibrahim Kalin, ka udhëtuar në Tripoli të martën, më 20 tetor, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë të lartë të sigurisë, sipas faqes së analizave strategjike Geopolitical Desk.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme