Protestat- Kuvendi rikthehet në seancë plenare të enjten

Politikë | 1 orë më parë

Kuvendi do të mblidhet të enjten (22 tetor) në orën 10:00, në seancë plenare, pas moszhvillimit të seancës së javës së kaluar për shkak të protestave të dhunshme.

Deputetët do të rikthehen në sallën e seancave plenare me një agjendë që përfshin interpelanca urgjente me ministra, shqyrtimin e disa projektligjeve dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës. Një prej pikave të para do të jetë interpelanca urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.

Po ashtu, është parashikuar interpelancë me ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, e kërkuar nga deputetët Ermal Pacaj dhe Tedi Blushi. Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.

Në rendin e ditës përfshihen edhe disa projektligje, ndër të cilat ratifikimi i konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, si dhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për krijimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar dhe kontrollit kufitar.

Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu ndryshime në legjislacionin për shërbimet e pagesave, parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, të drejtat e autorit, si dhe treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale.

Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë.

Rikthimi i punimeve parlamentare vjen pas ndërprerjes së javës së kaluar, në një kohë kur protestat e dhunshme vijojnë prej 8 ditësh në vend.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme