Vetoja e radhës nga Budapesti, Hungaria bllokon pa shpjegim dy kapitujt e fundit të negociatave të BE-së për Ukrainën dhe Moldavinë

Europë | 2 orë më parë

Zgjerimi i Bashkimit Evropian përballet me një tjetër ngërç diplomatik. Hungaria ka vendosur veto ndaj hapjes së dy grupeve të reja negociuese për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në bllokun evropian, edhe pse Kievi ka përmbushur kushtet kyçe të vendosura më parë nga vetë Budapesti.

Vendimi i papritur u bë i ditur gjatë një takimi teknik të përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare, ku po diskutohej hapja e grupeve të fundit negociuese që mbulojnë fusha strategjike si bujqësia, mjedisi dhe transporti. Sipas diplomatëve evropianë dhe kombëtarë të cituar nga mediat ndërkombëtare, përfshirë Kyiv Independent, Budapesti zyrtar ishte i vetmi zë kundërshtues në tryezë, duke refuzuar të jepte sqarime të detajuara dhe duke u mjaftuar me rikonfirmimin e qëndrimit të tij të mëparshëm.

Kjo bllokadë vjen në një kohë kur Ukraina kishte ndërmarrë hapa konkrete për plotësimin e kërkesave hungareze, përfshirë miratimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare hungareze në territorin e saj. Deri më tani, si Ukraina ashtu edhe Moldavia kanë arritur të hapin me sukses katër nga gjashtë grupet e kapitujve të parashikuar në procedurën e integrimit.

Pavarësisht kësaj pengese, në prapaskenat diplomatike sundon optimizmi. Burime diplomatike për Kyiv Independent vlerësojnë se vetoja hungareze është vetëm e përkohshme dhe lidhet me dinamikat e politikës së brendshme të Budapestit.

Nga ana tjetër, Presidenca Irlandeze e Këshillit të BE-së ka bërë me dije se synon ta rikthejë menjëhirë çështjen në tryezën e diskutimeve gjatë takimeve të ardhshme. Zyrtarët e lartë evropianë shprehen besimplotë se dy grupet e fundit negociuese do të hartohen dhe do të hapen zyrtarisht brenda muajit dhjetor.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme