Qeveria Meloni miraton dekretin e ri për sigurinë, dënime me burg për protestat e dhunshme, përgjegjësi penale për të miturit, prindërit do të paguajnë për dëmet

Europë | 2 orë më parë

Këshilli i Ministrave i Italisë ka miratuar me dekret-ligj urgjent paketën e re të masave për sigurinë urbane dhe kriminalitetin e të miturve, si përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj përplasjeve të dhunshme që përfshinë Milanon gjatë ditëve të fundit.

Përmes një mesazhi me video pas mbledhjes së kabinetit, Kryeministrja Giorgia Meloni deklaroi se ngjarjet në kryeqytetin e Lombardisë përbëjnë “skenën e papranueshme që askush nuk mund të mendojë as t’i minimizojë ose justifikojë”, duke konfirmuar krijimin e një figure të re penale.

“Sot është krijuar një krim i ri: pjesëmarrja e dhunshme në një demonstratë”, nënvizoi shefja e ekzekutivit.

Sipas dispozitave të reja, çdo person që i bashkohet një grupi prej pesë ose më shumë vetash në një marshim dhe hedh sende të fortë apo rrezikon sigurinë publike, rrezikon nga dy deri në pesë vjet burgim dhe gjoba deri në 20,000 euro. Dënimet ashpërsohen më tej nëse protestuesit mbajnë maska ose dëmtojnë strukturat e shërbimeve publike.

Nisur nga prania e lartë e adoleshentëve në trazira, dekreti ndryshon rrënjësisht qasjen ndaj të miturve të moshës 14 deri në 18 vjeç, duke prezumuar automatikisht aftësinë e tyre mendore për të kuptuar veprimet e kryera.

“Me këtë masë ne po zbatojmë një parim të thjeshtë: kushdo që e shkel paguan, dhe nëse personi që e shkel është i mitur, prindërit e tij paguajnë”, u shpreh Meloni, duke njoftuar se edhe ndalimi parandalues tashmë do të zbatohet për të miturit.

Detajet juridike të dekretit u sqaruan nga Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, i cili bëri me dije se është krijuar një kategori e veçantë krimi me dënime nga 4 deri në 12 vjet burg për ata që organizojnë apo promovojnë grupe të dhunshme përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale do të lejojnë “arrestimin e shtyrë” përtej momentit të kryerjes së krimit në flagrancë.

Nga ana e tij, Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, konfirmoi zgjerimin e ndalimit parandalues për të gjithë ata që prishin sigurinë në mjedise me fluks të madh njerëzish. Megjithatë, gjatë konsultimeve paraprake me Presidencën e Republikës (Quirinale), qeveria u detyrua të tërheqë propozimin për t’i dhënë ushtrisë kompetenca të policisë gjyqësore.

Pavarësisht masave ligjore të ndërmarra nga Roma, reagimet në nivel lokal mbeten të përmbajtura. Kryebashkiaku i Milanos, Giuseppe Sala, në prag të mbledhjes së Komitetit Krahinor për Rendin dhe Sigurinë Publike, nënvizoi nevojën për një qasje më të gjerë se sa thjesht represioni.

“Le ta diskutojmë sepse është sigurisht një çështje e ndjeshme. Unë besoj, siç thonë shumë, se nuk mund të jetë vetëm çështje represioni. Absolutisht jo”, përfundoi Sala.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme