Italia ashpërson dënimet për trazirat, deri në 12 vjet burg për ata që organizojnë protesta të dhunshme në rrjete sociale

Europë | 2 orë më parë

Qeveria italiane ka vendosur të godasë me dorë të hekurt jo vetëm pjesëmarrësit e dhunshëm në protestat e rrugës, por edhe organizatorët që përdorin platformat digjitale për grumbullimin e tyre. Përmes dekretit të ri për sigurinë urbane, ekzekutivi ka parashikuar masa mjaft të ashpra për të gjithë ata që nxisin apo krijojnë grupe me qëllim shkaktimin e trazirave.

Lajmi është konfirmuar nga zyrtarët më të lartë të drejtësisë në vend menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së kabinetit qeveritar. Gjatë daljes për mediat në Palazzo Chigi, Ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, bëri me dije se kjo masë synon drejtpërdrejt parandalimin e organizimit të dhunës përmes hapësirave virtuale.

Sipas kornizës së re ligjore, legjislacioni do të ndëshkojë ashpër çdo formë nxitjeje apo bashkëpunimi në distancë. Siç deklaroi vetë Ministri Nordio gjatë konferencës për shtyp, “ekziston një krim i veçantë i dënueshëm me katër deri në dymbëdhjetë vjet burg për këdo që, edhe përmes kompjuterit ose mjeteve elektronike, promovon formimin e një grupi” për këto “demonstrime të dhunshme”.

Kjo ndërhyrje vjen si përgjigje ndaj përdorimit të gjithanshëm të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të mesazheve për koordinimin e përplasjeve me forcat e rendit, duke e zhvendosur përgjegjësinë penale edhe mbi ata që veprojnë prapa ekranit.

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme