Kaja Kallas akuzon SHBA-në se po e shtyn Ukrainën drejt dorëzimit sipas kushteve të Putinit

Europë | 1 orë më parë

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, ka akuzuar Shtetet e Bashkuara se po ushtrojnë presion Ukrainën që të kapitullonte sipas kushteve të favorshme vetëm për presidentin rus Vladimir Putin. Deklarata erdhi në një kohë kur një raund i ri bisedimesh paqeje po zhvillohej në Oslo të Norvegjisë.

“Negociatorët amerikanë kanë tentuar t’i shtyjnë Ukrainën drejt dorëzimit për gati dy vjet, një vit e gjysmë tani. Pse Ukraina nuk është dorëzuar sipas kushteve të Putinit? Sepse Evropa e ka mbështetur Ukrainën”, tha Kallas para Parlamentit Europian të martën.

Ajo theksoi se prania europiane në tryezën e negociatave është e nevojshme për të “balancuar” pozicionet e Shtëpisë së Bardhë, të cilat sipas saj janë anuar gjithnjë e më shumë drejt interesave të Moskës.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës janë përkeqësuar që kur presidenti amerikan Donald Trump arriti një marrëveshje për furnizimin me naftë dizel me Putinin dhe lehtësoi sanksionet deri në prill 2027, pa marrë asnjë lëshim nga Rusia. Trump ka kërkuar zgjedhje të reja në Ukrainë (të ndaluara gjatë luftës) dhe ka thënë se presidenti Volodymyr Zelensky është “më i vështirë për t’u trajtuar” se Putin. Zelensky nga ana e tij ka deklaruar se ndihet i tradhtuar.

Kallas hodhi poshtë kritikat e disa deputetëve evropianë se Evropa nuk ka strategji paqeje. Ajo referoi një dokument që u ka paraqitur kryeqyteteve të BE-së me kërkesat që Evropa duhet t’i bëjë Moskës në një marrëveshje të ardhshme.

“Nëse Rusia paraqet kërkesat e saj maksimaliste, ne duhet të vendosim në tryezë kërkesat tona maksimale për të balancuar negociatat dhe për t’i dërguar një mesazh të qartë Rusisë se për të gjitha ato gjëra që e interesojnë – heqjen e sanksioneve – Evropa duhet të jetë e pranishme në tryezë, sepse janë vendime europiane,” deklaroi ajo.

Kallas akuzoi Rusinë se po rrezikon sigurinë e Detit të Zi me bllokadën e armatosur, po përdor ushqimin si armë dhe po përpiqet të shkaktojë urinë globale. Ajo kritikoi gjithashtu Moskën për refuzimin e një armëpushimi energjetik dhe për intensifikimin e bombardimeve kundër Ukrainës para dimrit.

“Ukraina dëshiron paqen më shumë se kushdo, sepse është nën bombardime prej katër vjetësh dhe po hyn në vitin e pestë. Edhe Evropa dëshiron paqe. Nuk është e drejtë të thuhet se ne nuk duam paqe. I vetmi që nuk dëshiron paqe është Rusia. Le të jemi shumë të qartë për këtë,” tha Kallas.

Zyrtarë të lartë të Komisionit Europian, NATO-s, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë udhëtuan të martën drejt Oslos për të marrë pjesë në raundin e fundit të bisedimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme