OKB: Bota duhet të ulë emetimet me 18% deri në vitin 2030 për të kufizuar krizën klimatike

Bota duhet të ulë emetimet e gazeve serrë me 18% deri në vitin 2030 dhe me 45% deri në vitin 2045, për të kufizuar përshkallëzimin e krizës klimatike dhe për të shmangur tejkalimin e rrezikshëm të objektivave për ngrohjen globale. Paralajmërimi vjen nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP), i cili thekson se qeveritë nuk po i shndërrojnë objektivat afatgjata në masa konkrete dhe të menjëhershme.
Sipas raportit të ri për hendekun mes objektivave klimatike dhe politikave të zbatuara, mundësia për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale është mbyllur. Megjithatë, ekspertët theksojnë se mbetet e mundur të kufizohet tejkalimi i këtij pragu dhe të shkurtohet sa më shumë periudha gjatë së cilës temperaturat do të qëndrojnë mbi të.
Nëse emetimet reduktohen me ritmet e rekomanduara, ekziston një mundësi e mirë që ngrohja globale të kufizohet në 1,7 gradë Celsius deri në fund të këtij procesi. Edhe ky nivel do të sillte pasoja të rënda, por mund të ndihmonte në parandalimin e përkeqësimit të mëtejshëm të valëve të të nxehtit dhe të fenomeneve të tjera ekstreme.
“Është tashmë e qartë se përpjekja kolosale nuk u bë. Ne e shtymë veprimin dhe tani po themi se kjo dritare mundësie është mbyllur”, deklaroi Inger Andersen, drejtoreshë ekzekutive e UNEP-it, duke iu referuar përpjekjeve të pamjaftueshme të qeverive për të mbajtur ngrohjen globale brenda kufirit prej 1,5 gradësh.
Megjithatë, ajo u bëri thirrje vendeve të mos heqin dorë nga objektivi i Marrëveshjes së Parisit, duke theksuar se është ende e mundur që tejkalimi i pragut të jetë sa më i shkurtër dhe i kufizuar.
Raporti evidenton se emetimet globale të karbonit në vitin 2025 mbetën përgjithësisht në nivele të ngjashme me ato të vitit pararendës. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se është ende herët për të folur për një kulm apo stabilizim të qëndrueshëm, për shkak të pasigurive gjeopolitike dhe mbështetjes së vazhdueshme te lëndët djegëse fosile, pavarësisht rritjes së energjisë së rinovueshme.
Sipas projeksioneve të UNEP-it, nëse vendet përmbushin të gjitha angazhimet e përditësuara për reduktimin e emetimeve, temperatura globale mund të rritet me 2,6 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale. Nëse vazhdojnë politikat aktuale, rritja mund të arrijë në 2,8 gradë Celsius.
Shtetet e Bashkuara, emetuesi i dytë më i madh në botë pas Kinës, janë gjithashtu në qendër të shqetësimeve. Nën drejtimin e Donald Trump, SHBA-të janë tërhequr nga Marrëveshja e Parisit dhe po rrezikojnë të përmbysin tendencën e mëparshme të uljes së emetimeve.
Bill Hare, drejtues i organizatës kërkimore Climate Analytics, kritikoi veçanërisht prodhuesit e mëdhenj të lëndëve djegëse fosile, si SHBA-të dhe Arabia Saudite, duke kërkuar që ata të ndalojnë përdorimin politik të çështjes klimatike dhe të përballen me realitetin shkencor.
Sipas Mohamed Adow, drejtor i organizatës Power Shift Africa, zgjidhjet teknologjike ekzistojnë, por mungon vendosmëria politike për të përshpejtuar largimin nga karburantet fosile. Ai nënvizoi se energjia diellore dhe ajo e erës po zhvillohen me ritme më të shpejta nga sa pritej, ndërsa qeveritë nuk po reagojnë me të njëjtin ritëm.
Shqetësim përbën edhe rreziku që tejkalimi i pragut prej 1,5 gradësh të nxisë pika kritike në sistemin klimatik, pas të cilave ndryshimet mund të bëhen shumë më të vështira për t’u frenuar.
Johan Rockström, drejtues i Institutit të Potsdamit për Kërkimet mbi Ndikimin Klimatik, paralajmëroi se, nëse zbatohen të gjitha angazhimet aktuale kombëtare, emetimet globale mund të arrijnë rreth 50 miliardë tonë ekuivalentë të dioksidit të karbonit në vitin 2035, ndërkohë që për të qenë në përputhje me objektivat duhet të jenë nën 35 miliardë tonë.
Ai theksoi se kapërcimi i këtij hendeku varet nga vendimet politike dhe jo nga mungesa e provave shkencore.
Një nga masat që mund të japë rezultate më të shpejta është reduktimi i metanit, një gaz serrë me fuqi ngrohëse shumë më të madhe se dioksidi i karbonit. Ndërkohë, vëmendja ndërkombëtare mbetet te zbatimi i Marrëveshjes së Parisit dhe te rishikimi i angazhimeve kombëtare, në një kohë kur politikat aktuale konsiderohen të pamjaftueshme për të parandaluar pasojat më të rënda të krizës klimatike.
Burimi: The Guardian
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




