Dhuna në protesta/ MSH bën bilancin e të plagosurve: 320 të lënduar, mes tyre 92 protestues dhe 192 efektivë policie

Aktualitet | 1 orë më parë

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka raportuar 320 persona të lënduar gjatë protestave të zhvilluara në periudhën 13–21 tetor 2026, sipas të dhënave të administruara nga Spitali Universitar i Traumës, QSUT-ja dhe spitalet rajonale në Durrës, Vlorë dhe Lezhë.

Mes të dëmtuarve janë 192 efektivë të Policisë së Shtetit, 92 protestues dhe 36 kalimtarë, ku përfshihen edhe gjashtë përfaqësues të medias, njëri prej tyre i huaj.

Në përditësimin e publikuar këtë të mërkurë (21 tetor) Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se gjatë protestës së djeshme janë paraqitur për ndihmë mjekësore tetë persona në Spitalin Universitar të Traumës (SUT) dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT). Nga tetë personat e trajtuar, gjashtë janë paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës, ndërsa dy të tjerë në QSUT. Sipas njoftimit të ministrisë, në Spitalin Universitar të Traumës janë paraqitur gjashtë persona të lënduar gjatë protestës së djeshme: një efektiv policie, një protestues dhe katër kalimtarë.

Tre prej kalimtarëve kanë pasur nevojë për shtrim në spital dhe trajtim të mëtejshëm mjekësor. Njëri prej tyre i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale, e cila ka përfunduar me sukses, ndërsa gjendja e pacientit raportohet e mirë. Aktualisht, në Spitalin Universitar të Traumës vijojnë të jenë të shtruar nëntë persona të lënduar gjatë protestave. Sipas të dhënave të ministrisë, mes tyre janë katër protestues, një efektiv policie, një përfaqësuese e medias dhe tre kalimtarë.

Ndërkohë, në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” janë paraqitur dy persona të lënduar, një efektiv policie dhe një protestues. Të dy kanë marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe janë larguar nga spitali që ditën e djeshme.

Njoftimi i plotë:

Informacion mbi të lënduarit gjatë protestës 13 – 21 tetor 2026 (ora 11:00)

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informon se gjatë protestës së djeshme në SUT dhe QSUT janë paraqitur dhe kanë marrë trajtim 8 persona:

Në SUT janë paraqitur 6 persona:

–              1 efektiv policie

–              1 protestues

–              4 kalimtarë, tre prej të cilëve janë shtruar për trajtim të mëtejshëm në spital. Një prej të lënduarve i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, e cila ka përfunduar me sukses dhe gjendja e pacientit është e mirë.

Aktualisht në SUT janë 9 persona të shtruar, të lënduar gjatë protestës:

–              4 protestues

–              1 efektiv policie

–              1 përfaqësuese e medias

–              3 kalimtar

Në QSUT janë paraqitur 2 persona:

–              1 efektiv policie

–              1 protestues

Të dy të lënduarit kanë marrë mjekimin dhe janë larguar që dje nga spitali.

Përmbledhje: Në datat 13 – 21 tetor 2026  në total janë raportuar 320 persona të dëmtuar, sipas të dhënave të administruara nga strukturat shëndetësore:

–              Spitali universitar i Traumës

–              QSUT

–              Spitali Rajonal Durrës

–              Spitali Rajonal Vlorë

–              Spitali Rajonal Lezhë

Sipas kategorive të raportuara, personat e dëmtuar ndahen si më poshtë:

  • 192 efektivë të Policisë së Shtetit;
  • 92 protestues;
  • 36 kalimtarë; (Mes tyre: 6 përfaqësues të medias, 1 prej tyre i huaj).

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme