“Investim në teknologji për identifikimin e personave me maska”, Rama: Ndalojmë aksesin në vendet e BE të protestuesve të dhunshëm
Kryeministri Edi Rama ka bërë me dije se shumë shpejt qeveria do të nxjerrë paketën e masave ndaj protestuesve që kanë kryer akse dhune ndaj policisë dhe sulme ndaj institucioneve. Në këtë kuadër, kreu I qeverisë deklaroi se do të investohet në teknologji për të bërë të mundur identifikimin e protestuesve të maskuar.
“Që të gjitha të kthehen një orë e më parë, ne do nxjerrim një orë e më parë paketën e masave, duke investuar me shpejtësi në teknologji, ne do fillojmë deanonimizimin e profileve që nxisin dhunë, duke investuar në teknologji, ne do zbulojmë ata që janë me kapuç edhe sikur të mbulojnë të gjithë fytyrën sepse do i ndjekim këmba-këmbës
Ky nuk është një qëndrim për të folur, por një informacion për të gjithë ata që janë ende me dhunën që të largohen nga ajoi rrugë një orë e më parë”, deklaroi Rama në fjalën e mbajtur gjatë takimin me drejtuesit e sistemit bankar në Shqipëri.
Kryeministri theksoi më tej se çdokush që ka një fëmijë të mitur që ka qenë pjesë e akteve të dhunshme gjatë protestave, nuk do marrë asnjë shpërblim nga shteti.
“Çdokush që ka një fëmijë të mitur duhet të kujdeset për të. Do ju vijë fatura në familje, do paguajë familja. Nuk do marrë më asnjë shërbim nga shteti familja e një të mituri që vjen dhe djeg pronën e tjetrit”, deklaroi Rama teksa shtoi se qeveria shqiptare po bashkëpunon me vendet e Bashkimit Evropian për të ndaluar aksesin në këto vende të personave të dhunshëm.
“Patjetër që ne do vendosim në regjistër të veçantë njerëzit e dhunshëm dhe ju mbyllim shumë aksese në aeroporte, hotele, trena, dhe gjithë mjetet e transportit dhe natyrisht do bashkëpunojmë dhe kemi nisur punën me vendet e BE për t’ua ndaluar aksesin në ato vende njerëzve të dhunshëm. Është shumë e rëndësishme të kuptohet dhunë se s’ka vend në këtë vend”, theksoi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




