PSG mbretëron në Europë, Luis Enrique kandidat kryesor për three-peat Champions

UEFA Champions League | 2 orë më parë

Parisienët, pas dy sukseseve radhazi, mbeten favoritë për trofeun me veshë të mëdhenj. “Lucho” mund të barazojë Real Madrid-in e Zinedine Zidane.

Edhe Barcelona duhet t’i përulet PSG-së. Katalanasit, deri tani të pamposhtur dhe me një mesatare të frikshme prej 4 golash për ndeshje, në Paris u dorëzuan. Katër shuplaka dhe humbja e parë sezonale për spanjollët. Sigurisht, nuk është dramë e madhe për një ndeshje të League Phase, me “Clasico”-n kundër Real Madrid në horizont.

Kurioziteti në fakt ishte për të parë përballë dy nga skuadrat më të forta të këtij Champions-i. Rezultati flet qartë: dy herë kampionët e Europës janë edhe më të fortë dhe kandidatë kryesorë për trofeun.

Një provë force që vjen një javë pas spektaklit të dhuruar në “Ethiad” kundër Manchester City. Edhe në Angli skuadra e Luis Enrique shënoi 4 herë ndaj një kundërshtari që kishte vetëm një humbje sezonale.

Kështu “Lucho” ëndërron të ecë në gjurmët e “Zizou”, i fundit që ka fituar tre Champions radhazi me Real Madrid. PSG, me tripletën e mundshme europiane, do të hynte në një klub të ngushtë skuadrash. Përveç “Blancos” (2016-18), vetëm Ajax (1971-1973) dhe Bayern Munchen (1974-1976) kanë arritur three-peat.

Luis Enrique thotë se nuk e ndjen presionin. Ai nuk e konsideron PSG-në favorite. Trajneri spanjoll është shprehur se ndeshja e fundit nuk ishte vendimatre dhe se prilli është muaji më i rëndësishëm, me ndeshjet me eliminim direkt. Sezoni është ende i gjatë, por dominimi i francezëve, të paktën sot për sot, është i destinuar të vazhdojë.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme